Joskajoret

Triviumi

Baza e joskajoreve të gjuhës shqipe âsht pjesorja. Ajo del në dy trajta, 1) e pa-prapashtesuome, dhe 2) e prapashtesuome.

Tri trajtat historike

Ndër shkrimtarët e parë, pjesorja delte kryesisht e parpashtesuome. Sipas dialekteve, dallohen tri sosh, -uom te Buzuku, -uar te Matranga, dhe -uem te Bogdani. Për shembull:

    • Buzuku: punuom
    • Matranga: punuar
    • Bogdani: punuem

    Trajtat dialektale të pjesores së sotëme

    Sot, pjesorja del 1) e pa-prapashtesuome, dhe 2) e prapashtesuome. Prapashtesat janë një prej treguesve dialektorë të gjuhës shqipe. Kur pjesorja sosë më -r, -rë, -ur, ajo âsht e prapashtesuome, e rotacizuome, dhe i përket dialektit toskë. Kur pjesorja sosë më togzanor, ajo i përket gegnishtes ose leknishtes.

    • Leknisht: punua
    • Gegnisht: punue
    • Tosknisht: punuar

    Vernakulari dobison pjesoren e shkurtuome: – punu

    Pjesorja ne kohet e kryeme

    Në folje analitike, pjesorja pason një trajtë të një folieje ndihmëse. Kur fjalia del në zâ aktiv, pjesorja pason një trajtë të leksemës PASË. Kur fjalia del në zâ pasiv, pjesorja pason jë trajtë të leksemës QENË.

    1. Zgjedhimi vepror
      • Leknisht: kishte kaluom lumin, kishte la, kishte lagun
      • Gegnisht: kishte kalue lumin, kishte la , kishte lagë
      • Tosknisht: kishte kaluar lumin, kishte la, kishte lagur
    2. Zgjedhimi jovepror
      • Leknisht: ishte gëzom , ishte la, ishte lagun
      • Gegnisht: ishte gëzue , ishte la , ishte lagë
      • Tosknisht: ishte gëzar , ishte la, ishte lagur

    Krahasim i dy Formave te Pjesores

    Pjesorja e Prapashtesuome

    Kjo pjesore ka:

    1) Nngjejë të së kaluomes
    2) Ngjejë të aspektit të kryem
    3) Ngjejë pasive

    Pjesorja e Pa-Prapashtesuome

    Kjo pjesore ka:
    1) ngjejë të së tashëmes
    2) ngjejë të së pakryemes
    3) ngjejë aktive


Si formohet paskajorja

Paskajorja formohet duke shtua pjesoren e pa-prapashtesuome pas parafjalës ‘me’. Kjo endsí quhet e gramatikalizuome sepse këtu parafjala ‘me’ funksionon si pjesë e paskajores, jo si parafjalë.

Format dialektale të paskajores

Paskajorja e gjuhës shqipe ka afërsisht katër forma dialektale. Ato tregohen mâ mirë nëpërmjet paskajoreve që sosin më togzanorin kryesor të gjuhës shqipe 'ua/ue':

  • Në Leknisht: me shkrua
  • Në Gegnisht: me shkrue, ~me shkraue
  • Në vernakular: me shkru
  • Në Tosknisht: -

Disa Mënyra me Përdorë Paskajoren e Gjuhës Shqipe

I. Si emën
Me vërtua se paskajorja (infinitivi) përdoret si emën, zëvendsoje atë me një përemën.
1. Si kryefjalë: Me kursye âsht mirë. (diçka âsht mirë.)
2. Si kundrinë: Ai donte me folë. (donte diçka)
3. Si komplement: Qëllimi i saj ishte me blé. (ishte diçka.) | Sytë janë me pá. (janë diçka)

II. Si mbiemën
Paskajorja e përdorun si mbiemën, zakonisht, del pas emënit që ajo modifikon.
4. Si përshkruese e kryefjalës: Libri me blé âsht ‘Epika Shqiptare’.
5. Si përshkruese e kundrinës: Ia ndaloi të drejtën me bâ bé. E ka zakon me u kthye vonë.
Në 4., paskajorja ‘me blé’ modifikon emënin ‘libri’. Në 5. paskajorja ‘me bâ’ modifikon emënin ‘të drejtën’.

III. Si ndajfolje:
Në këto endsí, paskajorja i përgjigjet pyetjes ‘pse’. Ajo âsht një klauzë e varun që modifikon klauzën kryesore; mund të vendoset para ose pas kaluzës që modifikon.
6. Para klauzës kryesore: Me pá zjarmet e Shninëzave, Lula shkoi në Zadrimë.
7. Pas klauzës kryesore: Lula shkoi në Zadrimë me pá zjarmet e Shninëzave.

Paskajorja e integruome në disa endsí tipike
8. Në kohën e ardhëme: Veskleva ka me arritë në kohë.
9. Në kushtore: Ora kishte me ardhë por âsht vonë. | Bane me nisë, s’mund të ndalesh.
10. Në folje që shenjojnë progresin e veprimit:: Martini nisi me folë; Filja vazhdoi me ecë.
11. Me folje katenative: Luka vendosi me vjelë dardha.
12. Me folje qëllimore:: Martini shkoi me pa ndeshjen.
13. Në endsí krahasuese me 'sa': Lula hangri sa me thanë. | Punonte aq sa me fitua jetesën.
14. Në endsí krahasuese me ‘se’: Autobuzi u ndal para se me arritë te Kroni i Bogës.
15. Në pyetje: Kur deshte me u nisë?
16. Në endsí mohore: S’don me ardhë.
17. Në nxitje: Ban mirë me hapë derën.
18. Kur folja dhe kryefjala këmbejnë vendet: Âsht vonë me nisë punën.
19. Me folje modale: Ti nuk mundesh me fjetë.

Pseudo-paskajorja

Buzuku nuk e përdorë endsinë e tipit ‘për të punuom’ (K. Topalli), e cila në tosknisht del ‘për të punuar’; dhe në gegnisht mundet me dalë ‘për të punue' ose 'për me punue’. Kjo endsí endet si mâ poshtë:

parafjalë + emën asnjëanës + emën/përemën në gjinore , p.sh.
për + të lutunatë + të saj
-- Buzuku, Meshari, Botim Kritik, 35

Kjo endsí nuk âsht paskajore (verbale) sepse:

  • Foljet nuk marrin parafjalë; ‘për’ âsht parafjalë
  • Emëni i këtyne endsive shquhet, p.sh., ‘të punuom > të punuom-it’; foljet nuk shquhen.

Mohorja e Gjuhës Shqipe

Mohorja kumton mohim (ãsht privative), prandaj ajo nuk mund të përdori pjesëza të tjera mohuese. Si formë, ajo i afrohet mã shum përcjellores sesa paskajores, p.sh.,

Duke ecë shpejt arrin në kohë.
Pa ecë shpejt arrin vonë.

Përcjellorja e Gjuhës Shqipe

Përcjellorja pason një trajtë të foljes ‘qenë’. Në disa endsí, ajo ãsht dublim i aspektit të vazhdimsisë, i cili formohet me pjesëzën ‘po’ dhe një trajtë të së tashmes ose të së pakryemes.

1. Ajo ãsht duke/tue vozitë.
E tashmja e vazhdueshme: Ajo po vozitë.

2. Ajo ishte duke/tue vozitë.
E pakryemja e vazhdueshme: Ajo po voziste.

3. Ajo qe duke/tue vozitë.

Krahasimi i pëcjellores me pjesoren e anglishtes

Në fillim të fjalisë, përcjellorja mund t’i afrohet pjesores së kohës së tashme të anglishtes.
Waiting too long, she got tired.
Duke pritë tepër gjatë, ajo u lodh.

Krahasimi i pëcjellores me gjerundivin dhe gjerundin

Disa e afrojnë përcjelloren me gjerundivin e frangjishtes. Por, përcjellorja e shqipes nuk duhet njësuom me gjerundin e anglishtes.