Gjuha e sotëme shqipe

Triviumi

Ç’âshtja kryesore e standardit nuk âsht mohimi
i paskajores, por se inteligjencia shqiptare
po përpiqet me i mësua gegët
me mendua pa paskajore.

Rregullat Gramatikore

Standardizuesit e cilësdo gjuhë detyrohen me marrë parasysh zgjedhjet që pasojnë, 1) trajtat mâ të lashta, 2) trajtat mâ të reja, 3) trajtat mâ popullore, dhe 4) trajtat e një dialekti të veçantë. Cilado qoftë zgjedhja, ajo duhet justifikuom me arsyetim shkencor; aq sa gjuha mundet me qenë shkencë.

Standardi i sotëm i gjuhës shqipe ka adoptuom zgjedhjen 4, dialektin toskë, por me disa lëshime të vogla ndaj gegnishtes letrare. Brenda kësaj zgjedhieje, me aq sa dihej, standardi '72 âsht ngritun mbi baza shkencore (kryesisht duke u mbështetë në veprat e gjuhtarëve dhe indoeuropjanistëve të Europës perëndimore).

Si çdo standard, standardi ’72 ka meritat dhe problemet e veta. Por, problemi i tij mâ i randë âsht i ngulitun në ajth të vetë gjuhës shqipe. Pavarsisht se kush e standardizon gjuhën shqipe, atij i duhet me zgjedhë, 1) UA ose UE, dhe 2) R ose N/M;
SHKUAR, LARË, BËRË, DJEGUR -apo- SHKUE, LÁ, BÂ, DJEGË
Këto dý veçsi nuk pranojnë pajtim. Thanë ndryshe, në këto dý aspekte, gegnishtja dhe tosknishtja përjashtojnë njëna tjetrën. (Ka edhe probleme të tjera, por ato janë të kalueshme.)
Prandaj, sikur paskajorja gege të integrohej në standard, ajo do të sillte me vete edhe togzanorin ‘ue’ edhe ç-rotacizimin e gjuhës shqipe. Ndikimi i kësaj ngjamieje historike në gjuhën dhe gjuhsinë shqipe kishte me ndikua mbi aspektet pasuese:

a. Ne Folje
  1. Në pjesore
    • blua(r), shkrua(r), punua(r), luajt(ur), gjuajt(ur)
  2. Në paskajore
    • -
  3. Në përcjellore
    • duke shqua(r), duke u shqua(r)
  4. Në mohore
    • pa shqua(r), pa u shqua(r)
  5. Në trajtat e foljeve sinthetike
    • shquaj, shquan, shquajmë), shquani, shquajnë
    • shquaja, shquaje, shquante, shquanim, shquanit, shquanin
    • u shqua, u shquam, u shquat, u shquan
    • e shquan, t’a shquan
    • shquakam, shquake
    • shquaj!, shquani!
  6. Në trajtat e foljeve analitike
    • kam shqua(r), jam shqua(r)
    • kisha shqua(r), isha shqua(r)
    • pata shqua(r), qeshë shqua(r)
  7. Në trajtat e kushtores, të së ardhemes në të shkuomen, dhe lidhores
    • do të kisha shqua(r)
    • kisha për të shqua(r)
    • të kisha shqua(r), të kishe shqua(r)
  8. Në fraza parafjalore (jo paskajore)
    • Ai erdhi për të kremtuar të Buzëmit.
    • Ajo përpiqej për të shquar të së vëtetës. .
    • Dëshira e vajzës për të lexuar ishte e pafund.
  9. Në absolutive
    • me të shquar...
    • një të shquar...
    • të shquarën...
b. Në Emëna
    • muaj, kuaj, duaj
    • ftua, grua, krua
c. Në Përemëna
  • mua, tuaj, juaj, suaj
ç. Në Mbiemëna Prejpjesorë
  • i, e gëzuar; i, e luajtur
d. Në Fraza Ndajfoljore
    • në mënyrë të gëzuar

Siç tregojnë shembujt e masipërm, pranimi i paskajores -ue do t’a kthente standardin prej në tosknisht në gegnisht. Prandaj, ai nuk mundet me ndodhë.

Kultura Gjuhsore

Sikur të tan vozitësit t’a banin me fjalë me i ngá makinat në krah të majtë, sunduesit do të dëtyroheshin me i ndërrua rregullat e qarkullimit, përndryshe rrugët do të bllokoheshin prej ndeshjeve të makinave. Sikur shkruesit shqiptarë, prej blogistëve te shkrimtarët profesionisë, t’a banin me fjalë me shkrua në gegnisht, sunduesit e Shqiptarisë do të financonin ringjalljen e gegnishtes. Por, përderisa shoferët të zbatojnë rregullat e qarkullimt dhe shkruesit shqiptarë të zbatojnë rregullat e standardit '72', nuk ka me pasë ndryshime as në shenjat e qarkullimit as në gramatikat e shkollave; as nuk mundet me pasë.

Vilhelm von Humboldti shkruan se detyra e folësve të një breznie âsht me e rilé gjuhën. Ashtu si natyra ri-lenë në çdo pranverë, por çdo herë në mënyrë të veçantë, ashtu edhe gjuha duhet me u ri-lémë me çdo brezní. Kjo quhet normë gjuhsore; kulturë gjuhsore. Ajo, jo vetëm që nuk mund të njësohet me standardin, por standardi âsht vetëm skeleti i saj.

Sipas historisë së shkruome , mund të thuhet se dy brezní e patën rilemë gjuhën shqipe. 1) Shqipnia veriperendimore, e cila pati arritun kulmin e saj me Kohën e Artë të Shkodrës, dhe 2) Standardi ’72, i cili pati arritun kulmin e tij me realizmin socialist. Të dyja këto arritje mbështeteshin në traditat përkatëse shekullore të një elite letrare shqipfolëse. Sot, shqiptaria âsht gati me përjetua rilemjen e tretë të gjuhës shqipe. Se si ka me qenë shqipja e të ardhëmes nuk dihet; por ajo po vjen duke u formua çdo ditë.

Por, sot-për-sot, zhigia pas standardit ka krijuom një gjendje të çuditëshme ndër shkruesit epranë të Shqiptarisë. Shum prej tyne, veçsisht ata që janë rritun jasht Republikës së Shqipnisë, krenohen se zotnojnë standardin, çka âsht detyra e nxanësve të klasës së shtatë; shum me thanë të së nantës.

Standardi âsht si shenjat e qarkullimit. Ai të udhëzon se kah me i rá, por jo se si me arritë 'atje'; arritja âsht detyra e normës letrare. Prandaj, e veçanta e shkruesit âsht rivlersimi i normës; e pa-veçanta tij âsht zabtimi i standardit.

Kështu, me shkrua vargjet pasuese, Mjedja nuk u pat ndihmuom as prej standardit toskë as prej atij gegë:
E tuj gjimue
Shkon rreth e rreth
Nji prrue qe veret
Rrjedh nëpër gjeth.

Disa Ç’âshtje me Normën

1. Elbasanishtja krijon një ndërlikje të tillë gjuhsore që të ban me mendua se ai vërsion âsht stërgjuom nergut me qenë as gegnisht as tosknisht. Prandaj, anglimi i standardit në kët të folëme mbetet zgjedhja mâ errtare e gjuhtarëve shqiptarë.
2. E folmja e Shqipnisë së Mesme dhe e Gegnisë Lindor janë lanë jasht standardeve gege e toske.
3. Veçsitë specifike të çamrishtes, labrishtes, dhe korçarishtes, nuk gjinden në standardin toskë.
4. Dyzanori -ue përdoret vetëm në shtrimjen Has-Tropojë-Dukagjin. Pjesa tjetër e gegnisë ka ose trezanor (~aue) ose togzanor të shkurtuom (u).

Tansia Gjuhsore

Shkrimtarët u ri-mësojnë ligjruesve atë që gjuhtarët ua mohojnë atyne, faktin se standardi âsht vetëm një larmí; një larmí artificiale. Duke e përvetsua kët të vërtetë, ligjruesi i thjeshtë ndjehet i lirë me folë natyrëshëm — nuk i vjen marre me përdorë gjuhën e tij në biseda me miqtë e shokët e tij. E kupton se e ka për detyrë me e praktikua atë, dhe me ia mësua atë fëmijës së tij.

A po i Vjen Fundi Gegnishtes?

Gjuha asht si tan gjanat tjerat. Ajo bazohet në trí aspekte: fakte, vlera, ndërrime politike. Prandaj, në qoftë se don me ditë nëse gegnishtes po i vjen prapë dita, shpenzo një mbramje duke lexua faqen e parë të veprave në një librarí, duke dëgjua radion, ose duke shikua programet televizive. Do të vësh ré se gegnishtja përdoret krejt pak; aspak. Faktikisht, gegnishtja nuk gjindet në diskurset e narrativat publike të mediave shqipfolëse. Prejse mungon të folunit e të shkruomit në gegnisht, mungon fakticiteti i gegnishtes; të duket sikur kenja e saj i përket të kaluomes.

Si mund të argumentosh për gegnishten kur asaj nuk i gjindet as pizla, kur ajo ka tretë në zbraztí të historisë, kur ligjrata gege heshtë, kur veshi gegë âsht shurdhua?

Uzdaja âsht mekë, por nuk âsht shkimë. Dikur, në Anglinë e pushtuome prej Normanëve, gjuha angleze u pat ngushtuom në një grusht anglisht-folësish; shikoje sot.