Mohi i Ded GjoLulit

Triviumi

Të tria etnitë që e patën pritun Dedën—Serbët, Esadistët, dhe Mirditasit—patën vuajtun për shekuj të tanë prej Errsinës Ballkanike; sipash tana gjasash shum mâ randë se Deda dhe paraardhësit e tij.
Megjithatë, ashtu si Agamemnoni u pat premë në besë prej atyne që duhej t’a kishin pritun si hero, ashtu edhe Ded Gjo Luli u pat vramë në moh prej atyne që duhej t’i kishin ngritun një përmendore.

Ded Gjo Luli Ded Gjo Luli, 1840-1915, u pat lēmë në nji vllazní vojvodësh.
Në MM, çdo Vllazní (familjet me të njëjëtin mbiemën) ka të parin e saj, i cili, në logje e gjyqe, e parfaqson kët vllazní si çmues/gjobar.
Të tana vllaznitë sëbashku formojnë një bashksí. Bashksía udhheqet prej një PRINCI, lat. kont (Ky titull njihet me egzonime të ndryshëme.). Zëvendësit e princit njihen sipas fjalës sllave ‘vojvodë’. Ndërsa në sllavisht kjo fjalë ka kuptim tjetër, në shqip ajo mund të përshtatet si nënprinc (lat. viskont).
Princat dhe Vojvodët e trashëgojnë pozitën e tyne, por jo të tjerët, përfshi edhe gjobarët edhe udhheqësit e luftës. Por, pavarsisht nëse përsoni e trashëgon titullin apo zgjidhet prej një vllaznie, ai nuk paguhet. Keshtu, Deda nuk u pat paguom as si vojvodë as si udhëheqes i Luftës së Malsisë së Madhe.

Zef Marash Doka pati kenë bashkluftëtar i Ded Gjo Lulit -- pjesmarrës i luftës së Deçiqit dhe i luftës kundër fanatikëve shkodranë të udhëhequn prej turkut Bedri Pasha. Sipas Zotni Dokës, Deda e konceptonte luftën kundër osmanëve si një luftë epike për pavarsí e sovranitet. Fjalët pasuese janë të Dedës:

“Shqipnia duhet me u bâ, burra. E pa gjak s’i shtihet temeli. Duhet burra me fituo o me dekë. Û jeshtu kam qief. Û e kam da mos me i dorzuo armët për të gjallë. Û shpinë e teshat i kam në kalë. Ju burra bani si të doni, po û kujtoj [besoj, mendoj] se ndera jonë âsht me bâ luftë e me dekë për lirim të trollit tânë.”

– Zef Marash Doka, Ligjratë e Ded Gjo Lulit.
– Mblodhi Nikoll Dakaj, më 18 Shtator, 1938

Në kët ligjratë, Ded Gjo Luli thotë, “e kam da mos me i dorzuo armët për të gjallë”. Kështu, mos-dorzimi i armëve mund të shihet si shkendia që pati nisun luftën e vitit 1911. Kët bindje e mbështetë edhe Palok Traboini në poemen e tij epike “Lufta e Maleve’, por narrativi i Traboinit nuk mund të kuptohet pa dallua Ligjin e Lekëve (“LL”) prej Kanunit të Lek Dukagjinit (“KLD”). I pari nuk e lejon prekjen e mashkullit; ndërsa i dyti, sipas Gjeçovit, lejon që mashkulli të rrahet me hunj; në fakt, të rrahet në mes të katundit.
Duke e mbajtë në mendje mos-prekjen e mashkullit lekë, kij parasysh se Xhonturqit iu patën kapun Shqiptarisë prej jugut e juglindjes, e u patën ngjitun deri në Kosovë e Shkodër, sistematikisht duke i rrahun shqiptarët që refuzonin me dorzua armët. Kjo dhunë pati arritun qyenin me varjen e një hoxhe shkodran në Parrucë. P. Traboini shkruan, Shkodranëve u patën hý të dy kambët në një këpucë.
Duke e pa sesa me zhig e kishin marrun osmanët çarmatimin, ose rrahjen, e shqiptarëve, Lekët u patën gjetun në dilemën mâ të madhe në historinë e tyne ligjore e morale: 1) me dorzua armët, apo 2) me u rrahun si shtazët e barrës.

Vrasjet politike para dhe pas Luftës së IItë dëshmojnë se atbotë Shqipnía ishte një vend i botës së tretë. Kjo botë niste në jug të Vijës së Vrakës, por Shkodra, me kulturën e saj oksidentale, duhet konsideruom si zonë neutrale.
Sidoqoftë, vrasjet politike, pas shpine apo ballë-për-ballë, nuk përfshijnë vrasjen e Ded Gjo Lulit. Deda u pat premë në besë. Lekët kanë një fjalë për kët sjellje: moh. Deda u pat vramë në moh. Ky koncept, jo vetëm që njihet prej ligjit të lashtë të shqiptarit, por âsht edhe koncepti mâ i ulët i njohun prej këtij ligji.
Megjithatë, të kuptuomit e çashtjes dhe rrethanave që patën çuom në kët korí të pashlyeshme, lypë pak febrim.
Lekët e lashtë thonin se kushdo që virtet, 1) virtet me híeks, 2) prej një dor-rasi, dhe 3) në emën të dikujt. Prandaj, detyra e kapucarit âsht me dvetë,
1) Cili ishte híeksi? (mohtari)
2) Cili qe vrasësi (dor-rasi)
3) Në emen të kujt u pat bamë vrasja? (përfituesi)

Viktor Volaj ishte një intelektual e artist që pati kenë gjallë kur Mohi i Dedës pati ganduom ligjin, kulturën, dhe nderin e shqiptarit e Shqiptarisë. Ai pati shkruom kështu,

Ded Gjo Luli ishte kryetari i kryengritjes së Malcís së Madhe. Burrë i urtë, i mendshem e idealist i vertetë, kje shpirti i lëvizjes për të drejta të Malcís kundra robnís së Turqëve të Ri. Me 6 Prill 1911 ngrehi flamuring e kuq me shqype dy krenash në maje të Deçiqit, shí mbi njatë shtizë, ku përpara kishte value flamuri me gjysmëhanë. Atdhedashunija e tij kje çmue e admirue edhe prej anmikut, edhe mbasi muer fund lëvizja, me të njohtun të drejtavet të Malcorvet. ‘Ai âsht burrë e atdhetar’ – tha për të Hazan Riza Paşa – ‘jam mundue me i dhanë pare, por s’ka ndigjue me i marrë kurrsesi.’

“Nuk ka Sulltani pare aq sa me they mua” i kishte pasë përgjegjë [Riza Pashës].

“Kur më 26 Qershor 1912 i mbet i biri, Gjergji, në nji luftim kundra Tuzit, kështu i a prunë [atij lajmin]: ‘Dedë, kanë mbetë 20 të Hot[en]’.

Ai u përgjegj, ‘E po në luftë njíeri do të desë.’

‘Mirëpo, me ta ka mbetë edhe djali i yt’, i thanë.

At botë, me sy kokërr e pa dhanë asnji shenj turbullimi u a priti, “Edhe tjerët janë djelm nanash si i emi!” – e s’u ligshtue aspak, por ngau me u dhanë zemër shokvet të qindrojshin.’

Anmik i rrebtë i çë do anmiku të Shqypnís, iku me të birin e do të tjerë në Mirditë, për mos me i ra në dorë ushtrivet Esadjane, të cillat ishin në marrëveshtje me Serb[ët]. Mbas dy ditësh, tue kenë lëshue pritat, ia behin prej dy anësh së ndryshme ushtrija Serbe dhe Esadjane, të cillat përpiqen në Orosh, ku gjindej Deda me shokë. N’atë mbrame xunë Deden me shokë e ne nesre e vunë përpara dhe e grinë në Sheshaz (Orosh). Kështu mbaroi ky hero i historis sanë kombtare së lumnueshme e së mjerueme.”

Viktor Volaj (Mrizi i Zanave, 28-29)
Marin Sirdani, Kontribut për Kulturën e Historinë Shqiptare
Nikoll Dakaj, Koineja e Gjuhës
Viktor Volaj, Mrizi i Zanave (Botim i Përzgjedhun i Poemave të Fishtës)
Palok Traboini, Lufta e Maleve
Shtjefën Gjeçovi, Kanuni i Lekë Dukagjinit