TRIVIUMI

Themeli i Arteve Liberale

— DRAFT! DRAFT! DRAFT! —

Paskajorja e Gjuhes shqipe

'me' + 'pjesoren e tashëme'

Prejse shkruesit e ligjruesit epranë vazhdojnë ta mohojnë nevojën e përdorimit të paskajores authentike të gjuhës shqipe, dhuntarët (talentet) e rí druhen se përdorimi i saj ãsht jo vetëm shenjë kryengritieje por edhe shenjë padhuntie. Kështu gabimi kalon prej një brezi te tjetri.

Ata që vetë nuk e përdorin paskajoren, dhe të tjerëve u thonë se 'gjuha shqipe nuk ka nevojë për paskajore', janë si ngjyr-verbëtit që thonë se 'ngjyrat nuk kanë randësí'; ata nuk mund ta kuptojnë nevojën për paskajore mã shum se ngjyr-verbëtit mund të kuptojnë nevojën për ngjyra. Çashtja këtu nuk ãsht sipërfaqsore as stilistike.

Çka ãsht pa-SKAJ-orja?

Paskajorja ãsht një trajtë foljore (verbale). Ajo i ruan veçsitë e foljes, por nuk mund të zgjedhohet me iu përshtatë kryefjalës në vetë e numër, as nuk mund të ndryshojë me tregua kohën e veprimit a të gjendjes. Kështu, tipikisht, paskajorja del sëbashku me një folje tjetër -- një folje primare (pasë, qenë) ose një folje modale -- të cilat mund të zgjedhohen (marrin mbaresa) me iu përshtatë kryefjalës në vetë e numër dhe me përkua me kohën e veprimit.

Prej kandvështrimit morfologjik, paskajorja mund të përdoret si emën, mbiemën, ose ndajfolje. Prej kandvështrimit sintaksor, paskajorja mund të funksionojë si kryefjalë, kundrinë, ose komplement.

Si formohet paskajorja

Paskajorja formohet duke shtua pjesoren e pa-prapashtesuome pas parafjalës me (me luajt, me djegë, me dalë, me marrë, me shkrua). Kjo endsí ('me' + 'pjesore e paprapashtesuome') quhet e gramatikalizuome sepse këtu parafjala ‘me’ funksionon si pjesë e paskajores, jo si parafjalë.

Format e paskajores

Paskajorja e shkrimtarëve të parë dhe paskajorja e shkrimtarëve të sotëm ndryshojnë në një pikë: shkrimtarët e parë e përdornin atë të prapashtesuome, kurse shkrimtarët e sotëm e përdorin atë të paprapashtesuome.

Paskajorja e shkrimtarëve të parë

  • Buzuku: me punuom
  • Matranga: -
  • Bogdani: me punuem

Shembujt e mãsipërm tregojnë se gegnishtja letrare vjen prej Bogdanit, toskrishtja letrare prej Matrangës, dhe se leknishtja dhe krajishtja lidhen me larminë e shqipes (ndoshta me fillimet e shqipes së normuome) që në kohën e Buzukut (në verí të Shkodrës) e Budit (në Mat) përdorte togzanorin ‘uo’.

Paskajorja e shkrimtarëve të sotëm

Sot, paskajorja e gjuhës shqipe ka afërsisht katër trajta.

Leknisht:me shkrua ose me shkruo

Afërsisht: Rugovë, Vuthaj, Martinaj, Plavë, Guci, Mbishkodër, dhe Nënshkodër

Gegnishten letrare: me shkrue.
Malsitë Gege: me shkr~aue;.
Vernakular: me shkru

Standardi '72 nuk ka paskajore. Por, kjo larmí e shqipes mund t'a nxjerri paskajoren në tre hapa:

    1. E tashëmja veprore: unë shkrua-j, ti shkrua-n

    2. E kryera e thjeshtë joveprore: Letra u shkrua

    3. Paskajorja: me shkrua

Më -ua sosin ~70% e foljeve të gjuhës shqipe. Këto janë edhe fjalët që, të përdoruna në si terma primare ose të prejardhuna, sjellin çamjen mã të thellë në mes të gegnishtes e tosknishtes. Shumica e paskajoreve të tjera mund të pranohen krejt lehtazi prej standardit ’72, p.sh., Dëshiron me ardhë. Erdhën me luajt. Shkuan me pré drú.

Në një pakicë foljesh ku standardi i sotëm kërkon rotacizëm, por refuzon hundorsimin e zanoreve, mund të përdoret lidhorja, p.sh., Kishin nisun me bã mur > Kishin nisur të bënin mur.

Si përdoret paskajorja?

Paskajorja përdoret si verbale (një tip folieje), emën, mbiemën, dhe ndajfolje. Si verbale ajo del në endsitë katenative (katenë = vargzim, lidhje e pazgjidhëshme dhe në klauzat me paskajore, ku kryefjala nënkuptohet. Si emën ajo mund të funksionojë si kryefjalë, kundrinë, ose komplement i kryefjalës dhe kundrinës së drejtë. Paskajorja si ndajfolje ose si mbiemën shërben si modifikuese fjalësh tjera.

I. Paskajorja si emën

Me vërtua se paskajorja (infinitivi) përdoret si emën, zëvendsoje atë me një përemën.
1. Paskajorja si kryefjalë: Me kursye ãsht mirë. (diçka ãsht mirë.)
2. Si kundrinë: Ai donte me folë. (donte diçka)
3. Si komplement: Qëllimi i saj ishte me blé. (ishte diçka.) | Sytë janë me pā. (janë diçka)

II. Paskajorja si mbiemën

Paskajorja e përdorun si mbiemën, zakonisht, del pas emënit që ajo modifikon.
4. Si përshkruese e kryefjalës: Libri me blé ãsht ‘Epika Shqiptare’.
5. Si përshkruese e kundrinës: Ia ndaloi të drejtën me bã bé. E ka zakon me u kthye vonë.
Në 4., paskajorja ‘me blé’ modifikon emënin ‘libri’. Në 5. paskajorja ‘me bã’ modifikon emënin ‘të drejtën’.

III. Paskajorja si ndajfolje:

Në këto endsí, paskajorja i përgjigjet pyetjes ‘pse’. Ajo mund të jetë një klauzë e varun që modifikon klauzën kryesore, dhe mund të vendoset para ose pas klauzës që ajo modifikon.
6. Para klauzës kryesore: Me pā (pse?) zjarmet e Shninëzave, Lula shkoi në Zadrimë.
7. Pas klauzës kryesore: Lula shkoi në Zadrimë me pā (pse?) zjarmet e Shninëzave.

Paskajorja e integruome në disa endsí tipike

8. Në kohën e ardhëme: Veskleva ka me arritë në kohë.
9. Në kushtore: Shtojza deshi me ardhë por u bã vonë. | Bane me nisë, s’mund të ndalesh.
10. Në folje që shenjojnë progresin e veprimit: Martini nisi me folë; Filja vazhdoi me ecë.
11. Me folje katenative: Luka vendosi me vjelë dardha.
12. Me folje qëllimore:: Martini shkoi me pa ndeshjen.
13. Në endsí krahasuese me 'sa': Lula hangri sa me thanë. | Punonte aq sa me fitua jetesën.
14. Në endsí krahasuese me ‘se’: Autobuzi u ndal para se me arritë te Kroni i Bogës.
15. Në pyetje: Kur deshe me u nisë?
16. Në endsí mohore: S’don me ardhë.
17. Në nxitje: Ban mirë me hapë derën.
18. Kur folja dhe kryefjala këmbejnë vendet: ãsht vonë me nisë prej fillimit.
19. Me folje modale: Ti nuk mundesh me fjetë.

Klauzat me paskajore

Prejse klauza duhet me pasë kryefjalë e kallzues, dise besojnë se klauza me paskajore nuk egziston. Ata mund të jenë drejt, por ka edhe një pikpamje tjetër.

Paraqitje:

1. Paskajorja ka trajtë aktive dhe pasive.

aktive: ãsht e vështirë me pá në terr.

pasive: ãsht e vështirë me u pá në terr.

2. Paskajorja nuk ka trajtë vazhduese

Vazhdimsia me paskajore nuk mund të arrihet sepse paskajorja nuk mund të dali pas pjesëzave ‘po, duke, tue, tuo’.

a) Po lexoj. Po lexon. po me lexua

b) Jam duke lexua. ãsht duke lexua. ãsht duke me lexua

3. Paskajorja i formon kumtet negative duke u prĩ prej pjesëzës ‘mos’.

aktive: ãsht e vështirë mos me pá në terr.

pasive: ãsht e vështirë mos me u pá në terr.

3. Modalet, jo paskajorja zgjedhohen

Mundem me lexua. Mundet me lexua.

Dua me lexua. Don me lexua.

gjysmë-modalet nderrojnë; paskajorja jo

Kam me lexua. Ka me lexua.

Struktura e klauzave me paskajore

Shkurtimet

  • K - kryefjalë
  • F - folje
  • Kn - kundrinë; Knd - kundrinori i drejtë; Knt - Kundrinor i tërthortë
  • Kp - komplement; Kpk - komplementi i kryefjalës; Kpkn - komplementi i kundrinës (së drejtë)
  • N - ndajfoljor (rrethanor)
  • Shembuj

    Shtat endsitë pasuese përkojnë me Quirk et, al, por autorët e këtij teksti nuk e qartsojnë se, tipikisht, emëni që del si kundrinor i drejtë i foljes skajore nënkuptohet edhe si kryefjalë e klauzës me paskajore.

  • 1a. Ai e ftoi Platorin me u kthye.
  • Këtu leksema PLATOR funksionon si kundrinor i drejtë i foljes skajore. Kjo tregohet prej trajtës kallzore ‘Platorin’.

    1b. KF (SV): Platori (K) me u kthye (F).

    Këtu leksema PLATOR funksionon si kryefjalë e paskajores. Por në komunikim, kjo kryefjalë lehet jashtë sepse fjalia ngushtohet, ose kompaktohet, çka ãsht një feonmen i dëshirueshëm në bisedë, tregimsí, dhe shkrimin akademik.

  • 2. Ata na thanë me vizitua Rugovën.
  • KFKn (SVO): Ne (K) me vizitua (F) Rugovën (Knd).

  • 3. Ju e mësuat djalin me qenë i sjellëshëm.
  • KFKp (SVC): Djali (K) me qenë (F) i sjellëshëm (Kp).

  • 4. ãsht mirë për të gjith me qenë këtu
  • KFN (SVA): Të gjith (K) me qenë (F) këtu (N).

  • 5. ãsht e drejtë për tý me i thanë asaj një fjalë të mirë.
  • Rrethanat kumtore lejojnë edhe ‘ãsht e drejtë [ ]me i thanë asaj një fjalë të mirë’. Por fjalia do të tingëllonte si aforizëm.

    KFKnKn (SVOO): Ti (K) me i thanë (F) asaj(Knt) një fjalë (Knd) të mirë.

  • 6. Veskleva të tha me e bã limonatën të ãmbël.
  • KFKnKp (SVOC): Ti (K) me e bã (F) limonatën (Knd) të ãmbël (Kpkn).

  • 7. Ajkuna e bani Gjelinën me e vũ kunorën mbë krye.
  • KFKnN (SVOA): Gjelina (K) me e vũ (F) kunorën (Knd) mbë krye (N).

    Klauzat me joskajore ngushtojnë (kompaktojnë) kumtin

    1. Paskajoret dhe joskajoret tjera (aspektoret, mohoret, përcjelloret) mundësojnë kompaktimin e kumteve sepse ato hijezojnë informacionin që mund të nënkuptohet prej rrethanave kumtore.

  • a) I thashë me ju telefonua.
  • b) I thashë atij që ai t’ju telefononte ju.
  • 2. Ngushtimi ndodhë edhe me elementin e kryefjalës.

  • a) Me qenë besnik ãsht e vështirë.
  • b) Që përsoni të jetë besnik ãsht e vështirë.
  • 3. Në këto rrethana, forma e ngushtuome me lidhore ‘ngushton’ edhe kumtin, sepse ajo e kthen aforizmin në një këshillë përsonale; shpesh në një patronizim. Kjo ãsht e padëshirueshme sepse disa e shohin patronizimin si shkaktues ndrydhjesh psikologjike.

    Ven re shembullin tjetër:

  • a) Me qenë besnik ãsht e vështirë.
  • b) Të jesh besnik ãsht e vështirë.
  • Në a) vërehet se kumtuesi përfshin edhe vetveten në kët aforizëm; prandaj ky kumt nuk ãsht patronizues. Kurse në b) kumti ãsht patronizues (ndrydhës).

    Por, në fjalitë me përcjellore, ngushtimi i kumtit mund të përmbajë pak mjegullsí:

  • E takuam të bijën duke hipë në tren.
  • Kush po hipte në tren: e bija, apo përsonat që e takuan atë?

    Referencat

    Kolec Topalli, Gramatikë historike e gjuhës shqipe, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 2011

    Bahri Beci, Të folmet veriperëndimore të shqipërisë dhe sistemimi fonetik i së folmes së Shkodrës, Akademia e Shkencave e RSH, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 1995

    Mehmet Çeliku, Format e pashtjelluara të foljes në gjuhën e sotme shqipe, Tiranë

    Nuhi Veselaj, Paskajorja çështje e shqipes standarde ; (vështrim sinkronik)Tiranë, 2000

    Shaban Demiraj, Morfologjia historike e gjuhës shqipe. I., Tiranë 1973; II., Tiranë 1976

    Justin Rrota, Gjuha E Shkrueme Ase Verejtje Gramatikore, Botome Françeskane, Shkodër, 2014

    Donat Kurti, Gramatike Shqype, Botome Françeskane, Shkodër, 2020

    Ilia Dilo Sheperi, Gramatika dhe Sindaksa e gjuhes shqipe, Romë, 1972

    Gramatika e Institutit të Gjuhës e Letërsisë, Vëllimet I dhe II, Akademia e Shkencave, Tiranë, 2002

    Texts in English

    Martin Camaj, Albanian Grammar With Exercises, Chrestomathy and Glossaries, Collaborated on and Translated by Leonard Fox, Otto Harrassowitz, Wiesbaden, Germany, 1984

    Randolph Quirk, Sidney Greenbaum, Geoffrey Leech, Jan Svartvik, A Comprehensive Grammar of the English Language, Longman, Standard Edition, January 1, 1989