TRIVIUMI

Themeli i Arteve Liberale

— DRAFT! DRAFT! DRAFT! —

Kryengritja e Nënshkodrës, 1912

Marin Sirdani

à sht folë e shkrue në rasën e 25 vjetorit t’ indipendencës kombëtare per sá e sá vende të ndryshme të Shqypnís të cilat e dhanë kontributin e vet per t’ ia mbërrijt me e pá atdhen të libruem prej robnijet të mã se katërqindvjeçare. Nji vend qi ãsht lanë si mbas doret ãsht Gurzi e Bregu i Matës, a mã mirë me thanë, vepra e zhvillueme per lirín kombëtare prej Malsorve të qujtun, pse dimnojn nën Shkoder, Nenshkodranë.

Këta, si tash po tregojm per të gjatë të këtij artikulli, mã se nji herë rrezikuen gjãnë, mallin e vũn në gërshanë kryet per të trajtue nji atdhé të lirë. Mëritimi i tyne në lãmë atdhedashtnijet kje fort i madh. Vuejtjet, flijet e heroizmi i tyne ndimoj per te trajtue e sigurue pamvarsín kombëtare, prandej me ket shkrim due të perkujtoj veprën madhshtore të tyne.

*****

Nenshkodra Malsorve të Bregut të Matës e të Gurzit u kishte mbetë birë në zemer ke s’kishin muejt me marrë pjesë më sivllazent e vet, Guracakët , në levisjen per lirín kombëtare kundra urdive të Shefqet Turgut Pashës. Ata me nji lufte të pergjakshme qi ngjati gadi gjysë vjeti, kishin fitue simpatín e popujve të gjytetnuem e ngushtue Sulltanin me u dhanë autonomín. Mbas tregimit të tyne edhe Kosova e disa vise të Tosknis kishin rrokë armët e lypshin prej Turkis të drejtat qi u ishin dhanë atyne, e gjithkahë neper Shqypni dukeshin shẽje paknaqësijet. Per ket arsye burrat ma të mirët e ma trimat Nenshkodrakë me zi qi pritshin me gjetë rasën me ba vogjlin per vedi e me i vũ pushken Turkut. E kjo rasë nuk vonoi me u ardhë.

Hasan Riza Pasha, Valija turk i Shkodres, çon e thrret Ded Cokun e i thotë se si nieri me randsi, burrë, e besnik qi e dijte, e kishte thirrë per me u perpjekë me të krejt miqsisht.

- Turkija, lum Deda - i thotë Pasha - ka mbarue per Shqypni: Vendi i juej ka me u coptue ndermjet shteteve të Ballkanit, prandej në kjoftë se e don vertè Shqypnín, si më kan thanë do miq t’ú, të këshilloj me çue popullin peshë e me lypë pamvarsín .

Ded CokuTi ndiemit Deda ato fjalë u rrudh prej friget mos po ia thojte sá me i ble mendim dhe i pergjegjë:

- Zotni, governér, na qi mbahemi dishka do të mundohemi me ndalue të keq e jo me ndezë pisha.

- Mirë thue - i pergjegjë aj. - Këta kishe me e dishrue edhe un, por nuk ãsht as në dorë t’eme as në tanden me mbajtë qetsín. Ballkani ãsht kahë merr zjarm e lufta nuk ka si ndalohet. Ndoshta ti kujton se un due me u ba lak fjalve ase nuk e due Turkín. Po, un e Turkín e due pse ãsht dheu i em, por mbassi e pat per ket vend, dishroj mos të bini nën kthetra të shteteve të Ballkanit, por të dilni shtet në vedi.

Tuj mos i u ba Dedës me i besue nji Turkut, e ma pak nji governorit turk, megjithse qysh para se të vite ky pashë në Shkoder e kishte sigurue Franz Baron Noptcha, e ndoi mik tjeter në Vjenë, se aj nuk ishte kundra njaj Shqypnije të lirë, merr e i thotë:

- Sá me shqetsue, t’u ngjatët jeta, Malsorët Nenshkodrakë, e kini në dorë zotnija e Juej kur të doni. Dije prej mejet, se mjaft mos t’u njifni edhe atyne të drejtat qi u janë dhanë shokve të tyne të Malsís e ata kanë me u çue peshë i madh e i vogel.

- Mirë prá - thotë valija - un kam me e krye punen t’ẽme, të shofim a njimend kini me dijtë ju me perfitue prej rasave per pshtimin t’uej.

Me kaq u pershëndeten e u dán.

Nuk kaluen veç dý javë prej ksaj pjekje e Hasan Rizaja i dha urdhen kajmekamit të Lezhes me u lypë Malsorve xhelep e të dheta e detyren e sherbimit ushtarak.

Kajmekami çon e thrret parsimin e Bregut të Matës e të Gurzit e u komunikon urdhnin qi kishte pasë prej valís. Krenët, marrin fjalen e Kajmekamit, kthejn nder shpija të veta, e n’e nesre grishin burrë per shpí në kuvend te kisha e Bregut të Matës ku s’ bashkut krenë e vogjlí, pá pasë nevojë me rrahë çashtje, bãjn bé n’ Ungjill jo veç mos me i dhanë Turkut shka s’i kishin dhanë parandej, por mos me i a dá të zezen aty e mbrapa derisa të mos të fitojshin autonominë e plotë kombëtare, a mos t mbarojshin me gjã e me krye.

Mãsat Siguruese

Marrë nji vendim të tillë dihej se nuk do të vonojte me u ngrehë degaja me Turk, prandej tuj kenë koha me dalë në bjeshkë, e ma fort per me sigurue grá, fëmí e zhumlí, krenët u mueren vesht me Kapidan Marka Gjonin e me Gjin Pjeter Pervizin t’i lejshin me dalë me verue në bjeshkë të Mirditës e të Kurbinit mbassi nuk mujshin me dalë në të vetat. Këta të dy jo veç u vullënduen me u lshue bjeshkën pá travinë, por edhe u zotnuen me u pague dyfish çdo dam qi muejshin me pasë prej kujdo në gjith kohen e verimit.

Nji punë që i qitëte në mendim Malsorët ishte mungesa e armve. Qyshse i kishte pasë mbledhë Shefqet Turgut Pasha ishin kenë të thuesh zhdukë e me të vishtirë mund t’u raditshin pse qeverija i kishte ndalue rrebsisht. Burrat të forcuem me armë u njehshin me gishta.

Tuj pasë marrë vesht qeverija e Lezhes vendimin e Malsorve mos me i u shtrue urdhnit të dhanun, e menden me dalë me verue në Mirditë, Kajmekami i atij gjyteti, me 22 Qershuer, shí nji ditë para se këta do t’u nisëshin per bjeshkë, u drejtue me gjashtëqind ushtarë me u xãnë Shkallën e Pëdhanës e të Minjollit e ashtu me u pre rrugen e Mirditës e të Kurbinit.

Beteja e Barbullojës

Beteja e BarbullojesPá dalë kurrkund drita, Dedë Cokut i erdhi lajmi prej nji miku per rrezikun qi u kanosej. Ky kumtoi mbarë vendin të merrshin rob e robi e gja e máll e t’u veshin sá ma parë per udhtim, e vetë me tridhetë e dy shokë, ku ishin ma trimat, xũni dý prita per me sigurue kalimin karvaneve. Njana pritë u vũ te trapi i Gurzit e tjetra te kalldrami i Barbullojës. S’kishin kalue mã se dy orë qse ishte lajmue vendi, e shumica e karvaneve ishin nisë, e tjerat më të nisun e sypri, kur qe dalin kundruell pritës së kalldramit të Barbullojës katerdhetë ushtarë të primun prej kajmekamit të Lezhes. Dedë Coku, qi ishte kryetar i asaj çete, bertet të madhe shokve: - Bini, burra! Sod ãsht dita me dekë! E sjellë kahë ushtarët, vikati: - Kush të jét Shqyptar nder jú të shmanget, se s’kemi të keq me Shqyptarë!

Pá i krye mirë këto fjalë krisi pushka mbë ta, e ma i pari qi u rrxue kje shí kajmekami. Ushtarët n’e parë u pështjelluen e me nji herë mueren hiken, por per së shpejti, bashkue me ushtrin e madhe qi kishin pasë lanë mbrapa, u dan në tri çeta per me muejt me shtij në rreth Malsorët.

Por Malsorve s’i u tut syni edhe pse s’ishin vetem gjashtëmbëdhetë vetë, e xãnë vend lerg shoqi shoqit neper baniqe e buza stomijesh u a çuen aq ngusht, sa ushtrija turke s’i pá shteg vedit veç me u smbrapë tuj msỹ rrugen e Lezhes. Dedë Coku me pẽsë shokë, porsa i hetoi në të hikun, iu suell prej brĩj me të shpejt, e dalë per báll u ndaloi rrugen.

Aty u bã nji luftim i pergjakshem, e mbasi mbeten të vrám e të varruem shum ushtarë, prej friget mos të mbetshin të rrethuem lshuen në duer të Malsorve kualt e mushkat qi bajshin municjen e nozullin, e sejcili mendoj veç me pshtue kryet.

Lekët në Luftë

Ded Coku Me luftarë ishin bashkue edhe do gra e varza mbasi kishin pasë sigurue karvanet, e në sá këta vẽn perpara mushkat e kualt e marrun ushtrís, burrat gjithnji ndoqen ushtrin e thyeme deri ngjat Lezhjes. Atëherë u kthyen, e marrë të dekunit e të varruemt, shkuen me u bashkue me karvane.

Llesh Nik Daka

Ded Coku me udhheqes te Kryengritjes se vitit 1912Në ket pështjellim luftet mã se njiqind ushtarë ishin kenë da qysh në fillim prej shokësh e kishin mbërrijt te kulla e Llesh Nikë Dakës. Aty tuj e pasë gjetë këtë n’oborr tuj gatue karvanin me u nisë, plasi pushka e mbeten dekun nji bulkë i tij e dy gra me nji fëmí të njomë. Lleshi me t’án, Niken, e me dy kushrĩjt, Marka Doden e Nikë Staken, e me rob tjerë, u ndrỹ në kullë e s’i la me u avitë ma ngjat.

Bani sa bani Lleshi pushkë prej kullet, e pá se prej jashtes muejte me i damtue ma lehtas, neper flakë të barotit i u vodh ushtarvet, e largue nji grimë, per fat ndeshë në nji arkë fushekë porsa të fillueme të harrueme në habi prej ushtarve. Të tanë gëzim atëherë ky, pse do të muejte me vijue luften per nji kohë të mirë, vẽhet e qet pá da mbë ta.

Plaku

Në sá Lleshi po luftojte me asqer, nji farë Rust Ademit prej Nikçit, burrë i shtỹm në mot, mbassi pat kalue me gjã vendin e rrezikut, i dha shpatin gjãs, e aj, si ishte me kmesë në cep të krahit e me rruzare në dorë, avitet logut të shamatës, palè a muejte me i vjeftë gja shoqit të vet. Tuj shkue drejt rrugës, po shef se nji ushtár kishte xãnë vend veças shokve buzë gardhit ngjitë me rrugë e gjuete kahë kulla e Lleshit. Ushtari tuj e pá plak e me rruzare në dorë nuk i ra veshit per punen e tij, por ky sá i kje ngjat i a mshojnë kmesë qafës e e mbyti, e marrë pushken e tij, u vũ me i ndihmue shoqit.

Kështu të dy vijojn në ket mënyrë tuj damtue keqas at çetë ushtarake deri sá i a mbrrijti në ndihmë çeta, qi si u tha sypri, kishte pasë vũ priten te trapi i Gurzit, të cilen e kryesojshin trimat në za Kolë Nishi e Nikollë Miri. Luftimi ngjati do orë të mira, e së mbramit ushtrija mã se e pergjysmueme u vũ me hikë pá vrojt i pari të mbramin.

Dyluftimi

Pak para se t’u thejte ushtrija, Lleshi çohet prej pritet e drejtohet kahë nji ushtar kosovar i cili i kishte qitë beleg para se t’i vishin në ndimë shokët. Ishte kenë edhe aj burrë e nuk hiku, por dalë të dy ball per ball shoqishojt, mbasi shpenzuen dy tri paqeta fyshekë tuj shporue shoqishojn petkash, te e mbramja kje vra prej Lleshit me nji plumb më lule të ballit.

Pas Sulmit

Zhdukë ushtarët, Lleshi me do shokë luftet hini te robt në kullë, në sá tjerët shkuen me bashkue e me bajtë shokët e mbetun në luftë. Në kullë të Lleshit kishte pasë mbet dekun i kushrini, Marku, e varrueme në kambë e ama, e njana nder bija të tija, emnit Dilë, ishte kenë varrue në njanin krah tuj luftue me pushken e të vramit, per mos me lanë ushtarët me i u avitë derës kullës.

Merr Lleshi atëherë pá u hutue e me ndimen e shokve, qi u permenden sypri, ngarkoj kualt e nisi karvanin me u bashkue me karvane tjera në Bulger, e aj me disa u ndal me bajtë të dekunit.

Nikollë Miri pat vra edhe komandantin e asaj çetë ushtrije, e i pat marrë armët e shpaten, e per të vllan, Markun, thuhej se pat vra mã se shtatembëdhetë ushtarë.

Heronjtë

Në ket luftë të pergjakshme në të cilen Lekët u diftuen verte kreshnikë, e Lleshi Nikë Daka meritoj me u quejt - Leonida i Bregut të Matës - mbeten të dekun njiqind e tetëdhetë e shtatë ushtarë të Turkut, si dishmoj edhe vetë komandanti i asaj ushtrie. Vetem rreth kullës së Llesh Nikë Dakës kjenë gjetë dekun shtatdhetë ushtarë, të cilt, n’e nesre kjenë vorrue në nii gropë ngjat asaj kullë. Per të varruem s’u dijt numri, por thuhej se kjenë me shumicë.

Prej Malsorve mbeten dekun:

Nikollë Miri me të vllan Pjetrin (të Nikç);

Kolë Lekë Bori (i Bogë);

Pjeter Bici (i Vukel);

Gjergj Nikolla (i Nikç);

Llesh Sokoli (i Vukel);

Dedë Mirashi (i Shkrel);

Gjelosh Deli Shpendi (i Shalnjan);

Marku i Dedë Mar Dakës (i Nikç);

Mirash Ujka e Haxhi Cari (të Nikç);

Preng Nikolla (i Kthellas);

Dy gra e nji fmi të shpis së Nikë Dakës e nji kushrinë e Gjeto Cokut.

Të varruem kjenë:

Dedë Coku (i Nikç);

Pjeter Sokoli (i Nikç);

Ujk Hasi (Seljan);

Mark Doda (i Bog);

Prekë Gjoka (i Vukël);

e ama, dhe e bija e Llesh Nikë Dakës.

Plaçka

Plaçka qi mueren n’at ditë permbahej në katerdhetë e pesë kual e mushq; njimbëdhetë ishin të ngarkuem me fushekë, shtatë me mitraloza e tjerët me nozull ushtrijet .

Të Mbetunit

At natë Malsorët e kaluen në Bulger, e, pá ba ag drita, tuj kenë sigurue robnija e karvanet ra Gjeto Coku me do shokë me kontrollue mos të kishte mbetë ndonji nder Malsorë i varruem. Kerkojn vendin pllamë per pllamë, kur qe ndeshin n’uj të Matit, drejt kullës së Nikë Dakës, në nji plakë porsa gjallë e cila dishka po kishte në dorë. I aviten e e xjerrin prej ujit, e ajo u lshon nji qese tuj thanë: - Llesh Nika - e aty u des nder duer. E marrin në vig plaken e ua çojn të vetve, të cilët i bajn dreken e e vorrojn.

Besa e Trimave

Puna e saj ishte kenë kështu: Porsa kishte pasë krisë pushka te kulla e Nikë Dakës, ishte kenë avitë pale a mos mund t’u ndimojte gja. Me t’a pamit Lleshi i kishte pasë qitë prej dritorjet nji qese me pare arit me i a ruejt amanet. Kjo per me ruejt amanetin, mbassi gjithkahë po vlojte pushka, kishte shkue e xãnë vend në nji skut të Matit, e prej friget mos të ndeshte n’ushtarë e t’i merrshin amanetin, kishte ndej ashtu per gjith at kohë.

Kremtimi

N’e nesre mbas luftet, 23 Qershuer, kahë ora tre mbas dreke, kaluen bregut të Fanit Malsorët me ket plaçkë. Setcilin mushk e kal e kishte per doret ka nji djaloç malsuer. Do shokë të tyne këndojshin e qitshin pushkë. U kishin prij Dedë Coku e Pjeter Sokoli në shpinë të dy atllarve të marrun edhe ata plaçkë luftet. Ati, të cilit i kishte hypë Dedë Coku ishte shi i kajmekamit të vram n’at luftë. Dedë Coku e Pjeter Sokoli erdhen me bujtë në kuvend të Rrobigut e percjellsat e plaçkës i lanë të vijojshin rrugen per Mirditë. Neve, qi per të paren herë po shifshim nji ngallm kombëtare të tillë, s’na bahej prej entuzjazmit me u besue. Na dukej si t’ishim n’anderr.

Frymzimi

Kjo luftë e Lekve bani pershtypje të madhe në disa vise të Shqypnís. Pá kalue e treta ditë prej ksaj lufte, e qe ke vinë te kuvendi i Rrobigut, qi ishte ba qandra e perpjekjeve të kryengritasve, Kapidan Marka Gjoni me disa krenë të Mirditës, Gjin Pjeter Pervizi me Masar Beg Toptanin e me disa persona me randsi të Shqypnís së Mesëme, me u pergëzue me Cokaj e kryetarë tjerë per fitoren qi kishin pasë mbi Turk.

Besa e Parisë

Të gjith këta, mbasi shndrruen mendim me shoqishojn, u lidhen me Malsorë mos me i a da kundershtimin Turkut deri qi mos të shifej ftyra e tij në dhé të Shqypnís. Shkruen mandej nji leter per Preng Pashen, nji per Emzot Jak Serreqin e nji per Konsullen e Austrís, ku u diftojshin luften e bame e besen e lidhun ndermjet tyne kundra Turkut.

Këto letra, të nenshkrueme prej personave të permenduna sypri, më kjenë dhanë mue qi po shkruej këta rreshta, e un ua dergova atyne ku u ishin drejtue.

Më bjen nder mend se kjo luftë e Malsorve bani pershtypje të madhe në Shkoder. Konsulli i Austrís, kur i pershkrova fill e per pẽ rrjedhjen e luftës, priti e tha: -Po ka Shqyptarë si në kohen e Skanderbegut, por nuk ka Skanderbeg me i bashkue e me u prĩj. Emzot Serreqi mbassi lexoj letren e lidhjes kundra Turkut të nenshkrueme prej shum krenve të krishtenë e muhamedanë, tha: - A thue do të filloj nji epokë e ré per të mjeren, moj Shqypn?

Përjetsimi

Populli në perkujtim të kësaj lufte pat qitë kangen qi po tregojm këtu ngjitas, e cila këndohet edhe sot.

Zot, ket luftë kush e nisi?

Kolë Lekë Bori (fotoja) e Pjeter Bici,Kol Lek Bori  - ose Kol Leka i Bogës

E mbas tyne Nikollë Miri.

Qaj Kolë Leka i forti djalë:

Ka nisë luften në fushë të gjallë.

Aman, Zot, se çpo i nep valë!

Llesh Nikë Daka zog petrit:

Shum asqerin na e ka pritë.

S’e din kush se sá ka mbytë.

Ky Dedë Coku në kalë me shalë,

Të tanë Gurzit po i çon fjalë:

- Ruenje, burra, mirë at zallë,

Se këndej s’lã asqer me dalë.

Ka vojtë lajmi në hyqymet;

- Per asqer s’ke pse pëvetë;

Kanë mbetë njiqind e tetëdhetë.

U kan marrë mushka e atllarë:

Kanë marrë mushka ngarkue me topa,

Me xhebehane e me mitroloza.

*****

Përpjekja me Ngritë Flamurin në Durrës

Mbasi Malsorët venduen robt e gjãn në bjeshkë të Mirditës u ulen me shumicë me vijue luften per liri kombëtare.
Ded Coku me udhheqes Në foto: Kol Toma, Gjon Markagjoni, Ded Coku, Gjin Pjetri, Masar Beg Toptani

Kryetarët e tyne, Gjeto Coku me të vllán, Deden, Gjokë Doda i Shkrelit e Kolec Marku i Triepshit, ishin në marrëveshtje të padame me kapidana të Mirditës, me Gjin Pjetrin e Skurajve, me Toptanë e me shum persona tjera me randsi të Shqypís së Mjesme.

Uzdaja

Dukej se pernjimend ishte pjekë idea per nji Shqypí të lirë e të lume. Bashkimi i dy elementave, kristjan e musulman, spakut n’at krah, nuk të lete me dyshue. Avdi Beg Toptani me dy kushrij, Masar Begun e Refik Begun, ishte arratisë, e herë në Mirditë, herë në Këthellë e herë në kuvend të Rrobingut perpiqej me kapidana, me krenë e bajraktarë e me kryetarë komite per të mbajtë gjallë lidhnin kundra Turkut.

Malsorët qi kishin rá në fushë s’leshin në qetsi kurrkund ushtrin turke në rrethin e Lezhes. Patrolla e tyne endej dromit e rruga Shkoder- Tiranë per nierzt e shtetit ishte pré. Per çdo hap qi sajohej kundra komite kryetarët ishin kumtue prej miqve per së shpejti.

Prétimi

Nder ditët e para të Korrikut, Dedë Cokut i erdhi fjala prej Durrësit se nji barkë me rabe ushtrijet do të nisej nder ato dit per Shen Gjin. Ky merr njizet burra të zgiedhun e shkon e i vẽn priten te Bishti i Muzhlit. Aty tuj pasë në dispozitë nji sandall rrin në pergim.

Mbas nji dite qi gjindeshin aty u del kundruell barka e pa-ralajmueme. Ta pamen hijn në sandall Dedë Coku me Kolec Markun, Gjokë Doden e Zog Sokolin, vojvoden e Thethit, e i dalin para. Kapidani i barkës i çuditun per të msyme të tyne i lejon të hypin në barkë. Deda atëherë me revolver e bume në dorë e tre shokët me mauzerre e bajoneta i kercnohen m’u dorzue. Nderkaq roja prej bregut, mbas fjalës qi kishte, bãn nji batare pushkë në drejtim të barkës. Kapidani pa tjeter u dorzue e drejtoi barken kahë dojte kryetari i Komitës, due me thanë kah Lymi i Sykaj, në breg të dedit. Aty zhgarkoi madhin e këthei me barkë thát në Shen Gjin. Atëherë lajmoi meiherë Deda komiten qi kishte lanë të qandrueme te kisha e Milotit, e tetëdhetë e dy kual ding e per maje me zi mjeftuen me bajtë plaçken e asaj dite. Këto robe kjenë da prej Dedës pá perjashtue kurrkend qi ishte i beslidhun me ta. Kështu ky shkojte tuj ba per vedi per ditë ma fort komiten, e entuzjazmi per veprim të perbashkët mirrte të hapët.

Prita

Me 23 Korrik u erdhi lajmi kryetarve të komitës se Ali Fehmi Kosturi me nji taborr ushtarë ishte nisë prej Tiranet per Shkoder. Dedë Coku e Gjin Pjeter Pervizi marrin ka pesdhetë burra mãlsorë e kurbĩas e i venë priten te bregu i Matës. Me ta u shoqnue edhe Refik Begu me djelmt e vet. Ushtrija njimend ia mbërrijti n’e nesre me të zbardhmen drita. Per tetë orë bãn pushkë me ta e e lanë të ngujueme, e mos t’u vite në ndimë nji ushtri me topa prej Lezhje me u çilë rrugen, pá bjerrje të madhe, nuk mund të vijojshin udhtimin e nisun. Me gjithkëta kjo ushtri nuk u da krejt pá dam.

Në mbrame vonë, mbas këtij luftimi, kryetarët e komitës me nja tridhetë vetë erdhën miq të papritun në kuvend të Rrobigut, ku kjenë pritë ma së mirit. Ishin të tanë shend e venë jo pse kishin pasë ba punë të madhe, por pse ishte e para herë qi kristjan e musulman sëbashkut i kishin kundershtue me armë anmikut të perbashkët, Turkut.

Drejt Durrësit

Por të gjitha këto perpjekje per bashkim, të gjitha këto ndeshje me ushtri turke, krenve të komitës nuk ua mbushëshin synin. U dukej se gjith veprimi i tyne po mbarojte në terr. Shifej nevoja me bã nji hap prej të cilit të mirrte vesht jo vetëm Shqypnija por Europa mbarë se ku dojshin me dalë. Prandej, mbassi u matën e u shmatën me shoqishojn krenët, muerën vendim me mësy skelen e Durrsit e aty me ngrehë flamurin kombëtar e me u deklarue autonoma. I rrẽjte mendja se me të pushtuemit at skele do të dilte ndonji shtet qi t’i mprojte. Dihej prej të tanve se ishte ky nji hap tepër i guxueshem, por mbassi Toptanët e disa krenë tjerë i kishin sigurue se populli i atij krahit ishte i gatuem per nji levizje të perbashkët mjeft të mirrshin ata inicjativen, dán me i a hij të dilte si të dilte.

Per me e forcue ma mirë punen kumtuen konsullin e Austrís në Shkoder të cilin e dishin se kqyrte me sy të mirë çdo perpjekje per liri kombëtare. Se prej kahë i vojti në vesh valis së Shkodres, Hasan Rizas, ky vendim i marrun, s’u dijtë, veç mbas pak ditësh qi kje lajmue konsulli, Hasan Rizaja i çojte fjalë Dedë Cokut të bajte shka kishte nder mend nji orë e ma parë se ushtrin e Durcit e kishte nisë per Berat.

Mbas gjaset konsulli i Austrís i a komunikoi Hasan Rizas njetin e Malsorve. Sa pse qeverija austriake kishte nji besim të fortë në ket vali nuk mund të mohohet. Qysh para se të vite ky në Shkoder, si e kemi çekë edhe nji herë tjetër, kjo qeveri e shprehi dishirin e ardhjes së tij.

Shestue punët këso dore, porsa u bashkue nji ushtri treqind vetshe te kisha e Milotit, gjysa Lekë e tjetra Kurbĩas e bajrakësh së Lezhes, u nisen me 14 Gusht per Durcë. Pak para se t’u nisëshin i a mbërrijten prej kuvendit të Rrobigut Refik Begu e Mazar Beg Toptani me sekretarin e vet Zef S. Harapin. Edhe këta u vullenduen me marrë pjesë n’at ekspeditë së bashkut me komitë. Kështu shkuen fill e në Prez, ku vendasit u qiten buken e mandej vijuen rrugen pá gjetë kund farë kundershtimi deri në Rushkull. Aty, mbas fjalve të Toptanve, zateten, e filluen m’u marrë vesht me pari të Durcit per dorzimin e gjytetit.

Pabesía

Prej Durcit u çohej kryengritsve rregullisht ushqimi i mjef-tueshem e mendohej se gjyteti po dorzohej pá pushkë të shtijme, por puna duel krejt ndryshej. Të dy Toptanët, pá pritë pá kujtue, dahen prej komite e kthejn në ShëJak. Akti i tyne bani pershtypje shum të keqe n’ushtri, e pushimi në Rrushkull u xũ per nji dredhi per me i lanë kohë Durcit me u gatue per qindresë.

Porti i Durresit 1903Por me gjithse u pá se deshtoi ajo ekspeditë, kryengritsve u vite mbarre me këthye pá u ndie per së gjalli me gjith at rrugë të bame. Dedë Coku atëherë, si kryetar i asaj ekspedite, sjedhet kah ushtrija e i thotë: "Kuj mos t’i vij mbarre me këthye prej luftet me pushkë të mbushun le të këthej", e si ishte në shpinë të kalit e me flamur Kuq e Zi në dorë drejtohet kahë Durci. Fjala e tij mjaftoi me e marrë të gjith mbrapa e m’at filli mbërrijten, pá u bij ferrë në kambë, deri te Ura e Dejlanit. Ishte atëherë me t’u muzgut, e porsa ishin avitë ballit t’asaj ure krisi pushka me furi të madhe, kështuqi komita kje ngushtue me u shtrij per dhe e me qindrue, pá mujt me u shty ma pertej.

Populli i Durcit e i Kavajës i armatisun prej mytesarifit ishte bashkue me at pakicë ushtrí qi kishte mbetë pá shkue në Berat e kishte dalë me shumicë të madhe në pritë.

Ramja në Pritën e Rrushkullit - Beteja

Beteja e RrushkullitU pá atëherë faqe tradhtija e u vertetue se populli i atij krahi nuk ishte kurrkund i gatuem per nji levisje të përbashkët. Tuj e marrë me mend kryetarët e komitës se edhe po t’u pushtojte gjyteti pá shum gjak nuk do të mund të mbahej, mbas disa orë luftimi, neper terr të natës, dhanë urdhen me këthye dalë.

Kje thanë se prej anës së qeveris paten mbetë shtatë vetë dekun e varrue e prej komites at natë s’u damtue kurrnji.

Nji gja qi ra në sy at ditë kje se Zef S. Harapi e Ceni i Sanës, i vllaj i Bazit të Sanës, nuk mueren mbrapa zotnit e vet por komiten kambë per kambë.

Tuj këthye komita prej Durcit, me zemer të derptueme per aktin e Toptanve, ishin shperda çeta-çeta kush në nji krah e kush në nji tjeter pá mos u shkue as neper mend se mund të gjejshin pengim rrugës. Në sá çeta mã e zgjedhun e tyne, njizet e ma vetshe, ishte tuj kalue Rrushkullin, ndeshë në nji pritë të Shë Jakasve. Pushka krisi per anë, e këta tuj e pá vedin të shkuem, pse të rrethuem gjithkahë, u turren si luaj me zhberthye nji ball me fuqi t’armve a me dekë si burrat. Mbas ndonji ore prani pushka e balli kje thye, por kishin pasë mbetë katërmbëdhetë Shë Jakas e nandë komitë vram e dy të varruem.

Të vramt e të varruemët prej anës së komitës kjenë:

Kolec Marku prej Triepshi
Gjokë Doda prej Shkrelit
Zef Harapi prej Shkodret
Tomë Xhuxhi e Gjekë Marash Haka prej Vuklit
Prelë Deli Shpendi prej Shale
Marka Prend Dudi, Marka Per Zefi e Preng Nikollë Gjeçi prej Bulgrit.

Dedë Coku u varrue per së dyti por lehtas,
në sá Llesh Nikë Daka muer disa varrë të forta e të rrezikshme qi në pak dit i mueren jeten.

N’e nesre, 17 Gusht, Dedë Coku me njizet e dy burra të zgjedhun, me krye në gershanë, u këthye në log të luftës me gjetë e me bajtë të dekunit qi u permenden sypri. I muren të tanë e i vorruen te kisha e Shen Pjetrit në Drraç (Bizë). Llesh Nikë Daken të varruem keqas e kishtë pasë bajtë e pështue neper flakë të barotit trimi i trimave Kolë Rusti prej Nikçit , i cili i kishte pasë çilë rrugë vedit tuj luftue me të varruemin në shpinë.

Llesh Niken, mbas dishirit qi shprehi, e çuen me të shpejtë në kuvendin Franciskan të Rrobigut e me mjekime u kerkue me e shpetue, por s’bãn dobi. I forcuem me ngushllime fejet diq me 28 Gusht tuj lanë mbas vedit kujtimin e trimnive qi, porsi drangue, pat bã nder sá të ndeshuna me ushtri turke, e sidomos në luften e Bregut të Matës.

Pater Pal Dodaj, kryetari i atij kuvendi, si kje mundue per sherimin e tij tuj i prũ edhe mjekun prej Dibret, ashtu edhe u kujdes per vorrimin e tij tuj gatue nji funeral fetar aq të madhnueshem, sá nuk mbahet mend se i kje ba ktij nder malsorë.

Krejt faji i kësaj disfate u mbet Toptanve. Kush thojte se e bãn at punë pse dojshin me i a lanë vedit nderen e të ngrehunit të flamurit, kush pse nuk dojshin të ngrehej perpara në Durcë se në Tiranë, e kush pse dojshin me pritë perfundimin e kongresit të Shkupit. Por e cilado të jet kenë arsyeja, ata e bãn edhe ma tepër fajtuer vedin tuj marrë pjesë aktive n’at ekspeditë me malsorë. Fakti ãsht se Halil Agë Kertusha vetë, u kallxoj disa dit mbrapa mãlcorëve, se kishte pasë leter prej Refik Begut me u ndej gadi e mos me i lanë me hĩj mbrenda në gjytet. Edhe Kapidan Ndue Gjoni qi me pesdhetë Mirditas u kishte pasë shkue në ndimë Malsorve e gjindej në Blaj, kje ndalue të bashkohej me ta në Rrushkull prej fjalës së Refik Begut qi e kishte kumtue se Malsorët e kishin zhgrehë per at herë të msymen e Durcit.

*****

Zani

Këtu po riportojm ad litteram shka shkruete mbi ket ekspeditë Gazeta shqyptare e Sofís "Liri e Shqiperisë", me 12 Tetuer 1912, N.58, faqe 3.

"Të gjith bota, e sidomos Shqypnia mã e din qi shpia e Toptanit ka pasë lidhun besë me tanë Shqyptarët, e ma fort me XII bajrakët e Mirditës e me Malsorët e Bregut të Matës, njikaq sá Avdi Begu, Masar Begu, Amid Begu e Refik Beg Toptani kanë pasë dalun e ndej bashkë me komita n’Orosh, tu shpia e Kapidan Marka Gjonit, ku kanë ndej afro dy muejve. Mirditasit dhe Malsorët i kanë nderue fort, dhe thojshin se Toptanët janë atdhetarë të vertetë, e mundohen me zemer me i dalun zot Shqypnís ... Mjerisht këto të shkretë u gabuen se Toptanët paskan kene tradhtarët e Shqypnís, e kenkan mundue vetem per të miren e vet e me fitue rybe e me ngranë të holla prej Qeveris, si sod puna e bani dishmi, me tradhti qi kanë bamun e janë tuj ba".

"Me 15 Gusht Refik Beg Toptani i prini Mirditasve e Malsorve, dhe i tha se do të shkojm me zaptue Durcin e me marrun armët qi janë n’at teboj, por sá shkuen afer Sh’Jakut, Refik Begut ju ndrrue mendja, dhe i tha komitës qi të kthehet e mos të shkojn në Durcë. Atdhetari i flakët Dedë Coku nuk i ndigjoj Begut, dhe i tha se un me shokët e mi nuk kthehem por do të vete aty ku jam nisë".

"Refik Begu u idhnue, dhe para se do të shkojte komita në Durcë, i dergoj nji leter mytesarifit dhe i thonte qi t’u bate gadi me ushtarë se komita ãsht nisun pá lejen t’eme me i ra Durcit. Mytesarifi sá mori letren e Begut qiti ushtarët, dhe veshi terë fanatikët e i armatosi qi të luftojn kundra komitës. U fillue lufta e mbeten prej anës së qeveris pesë vetë të dekun e të plagosun, e prej anës së komitës kurrnji".

"Mbasi luftuen 5 orë, Komita u këthye, e kur erdhen në Rrushkull qi ãsht nja 5 orë lerg Durcit, i dolne para dhe i xunë udhen muslimanët e Sh’Jakut. Edhe atje u ndez nji luftë e rrebët qi ngjati 4 orë. Në ket luftë kanë mbetë dekun dhetë vetë prej anës së Komitës. Zef Harapi prej Shkodret, Kolec Marku, Llesh Nikë Daka, Gjok Doda, Gjon Marashi e Tomë Deda prej Bregut të Matës; Marka Prend Zefi, Marka Prend Dudi e Prengh Nikollë prej Malsis së Lezhes. Prej anës së muslimanve fanatikë kanë mbetë pesë vetë prej pariet e shtatë vetë prej popullit, të plagosun 8 vet. Qe çka bani letra e Toptanit" .

Mjerisht kjo ngjarje jo veç shtoi pabesimin ndermjet dy elementave, por edhe fashiti çdo entuzjazem per kahë levisjet kombëtare. Zemrat u ftofen, perpjekjet e marrdhanjet mẽn, e çdo shpresë bashkimi ndermjet të dy elementeve n’at krah mbaroi, e shí në kohen kur ma fort se kurr lypej bashkim.

Godija

Sigurisht se të qillojte andej pari Avdi Beg Toptani kjo ngatrresë nuk do të ndollte, por aj gjindej n’udhtim per Kongresin e Shkupit bashkë me Kapidan Marka Gjonin e me krenë tjerë. Mbassi këthej u mundue si aj si Emzot J.Serreqi me ndermjetsi të P. Pal. Dodës me avitë e zbutë zemrat e pezmatueme, por s’muejt me u ba gja, pse varra tepër e freskë.

Vjet, me 16.VIII, në rasën e XXV vjetorit të kësaj ngjarje, Shkodra e kujtoi bashkëgjytetasin e vet Zef S. Harapin, e me ta edhe shokët e tij, deshmorë atdheu, tuj bajtë madhnisht metat e tyne prej Bize e deri nder vorre katolike të këtij gjyteti.

*****

Pasojat e Pabesisë

Ngatrresa me Toptaj, e cila, si u tha sypri, shkaktoi nji paknaqsi e pabesim ndermjet të dy elementeve, nuk mjaftoi me këputë luften per liri. Gjeto Coku me të vllan Deden, në krye të çetave të komitës, shum herë bajn pushkë me ushtri turke në Lezhe e në Shen Gjin e i damtojn. Rruga Shkodër-Tiranë gjithnjë mbetë e preme per nierz të qeveris e nierz të dyshimët.

Por kujdesi i madh i Turkis ishte me shtrue Malsin e Madhe e cila ishte çue peshë per së dytit, e lidhë me Kosovë, ishte betue mos me i a pra të zezen qeveris deri sá mos të njifte autonomin e Shqypnís në kater vilajetet: Shkoder, Kosovë, Monastir e Janinë.

Mirë po lidhja me Kosovë me kongresin e Shkupit kishte deshtue. Shqyptarët e mbledhun n’at kuvend kujtuen se mbassi fitoi partija "Liberale" do t’ishin kondend edhe me Turkí, kështuqi të gjitha lidhnít e marrveshjet e perparshme per liri kombëtare u këputen, e seicili mendoi me shkue e me jetue qetsisht në shpi të vet.

Vetem malsorët e mbishkodres ende ishin që me armë në dorë kerkojshin me doemos autonomin kombëtare, e katolikët tjerë i perkrahshin kudo qi ishin, posaçe malsorët Nenshkodrakë.

Redifët

Në Luftën e Mbishkodrës otomanët patën sjellun një numër të madh redifësh prej turqiet (shih mã poshtë). Këta, sëbashku me mustahafizë shqiptarë, patën shkatërruom prodhimet e pronat e Lekëve, djegun shtëpiat e tyne, vramë njerëzit, e shnjerzuom gratë. - Këto të vërteta mbeten të regjistruome në Katër Memorandumet e Lekëve (1883 - 1911).

Per me e rrudhë guximin e këtyne qeverija e Shkodres i kishte lypë ndimë Stambollës e ajo kishte dhanë urdhen të mblidheshin redifë në Shqypnín e Mjesme e të shkojshin në Shkoder.

RedifetEsad Pashë Toptani [djathtas] qi kishte marrë zyren e Prengë Pashës i cili nuk gjegjte me mbledhë ushtri me u ra Malsorve qi luftojshin per lirín kombëtare, mblodh redifë sá ma shum mujti e në ditët e para të Tetorit me dymbëdhetë bataljona Tiranas, Kavajas, Durcakë etj. u nis prej Durcit per Shkoder.

Mbassi mbërrijti me ket urdí në kodra të Pëdhanës, afer Bregut të Matës, tuj e marrë me mend se Lekët nuk do t’a lejshin me kalue pá ndonji kundershtim, i çon fjalë Cokajve t’i lirojshin rrugen se nuk kishte të keq me ta. Këta, sbashkut me Kapidan Ndue Gjonin e me Ibrahim Kumanoven, sekretarin e Prengë Pashës, i pergjegjen se tuj kenë aj i drejtuem me prishë Lekët e Malsís qi perpiqeshin per të drejta kombëtare, nuk muejshin me e lanë të kaloj neper ta pá pushkë të shtijme me gjithse e dijshin se s’kishin fuqi per nji urdi aq të madhe.

I trazuem Esadi prej asaj gjegje i dha urdhen urdís meiherë me u rrugue per Lezhe. Urdija u nis, por dyqind komita qi ishin kenë të gatuem per qindresë i vũn pushken. Luftimi ngjati veç kater orë e gjysë, pse nji ushtri qi u erdhi në ndimë prej Lezhje me topa e ngushtoi komiten me !irue rrugen e me marrë shpatin. Njizet e gjashtë redifë i mbeten Esadit dekë e varrue e prej komitet vetem nji i varruem.

Kur u fillue lufta, Lekë Vuksani prej Nikçit, mori pesë shokë e shkoi në bisht të kalldrarnit të Barbullojsë per me lajmue komiten po msyni asqer prej Lezhje. Porsa duel në kundert asqeri, Lekë Vuksani me shokë i nisi pushken, e mbassi vnin nja kater asqer hiken e u bashkuen me shokë.

Ushtrija e Esadit kur pá se Lekët e Mirditast u larguen prej fushet, u ulen prej kodrave e u lshuen në plaçkë e në rrënim, e mandej u dhanë zjarm të tana shpijave të Bregut të Matës, e bashkë me këto shpija plaçkiten e dogjen edhe çelen e kishen.

Gazeta shqyptare e Sofís "Liri e Shqiperisë" me 12 Tetuer 1912, N.58, f.3 nder tjera shkruete mbi ket luftë: " ... Esad Pasha çue e mblodhi tanë rediftë e Krues, Tiranës, Shë Jakut etj., e mbasi i veshi me roba asqeri u nis me 10.000 vetë e erdhi e hypi në Kodra të Pëdhanës afer Bregut të Matës, e i çon fjalë Dedë Cokut qi un nuk kam punë me jú, as me Mirditë, por due me shkue me u marrë vesht me Malsorët e Shkodrës. Dedë Coku me të vllán Gjeton e me Kapidanin e Mirditës Ndue Gjonin, e me sekretarin e Preng Pashës Ibrahim Hakín, i gjegjën kështu: "Na nuk lãm me kalue me asqer ndër këto se Malsorët janë vllazent t’onë e na kena besë me ta sikurse e kena pasë edhe me ty, por ti sod na dole trathtar i jonë e i kombit. Pá vonue u dha kushtrimi e si u bashkuen afro 300 pushkë krisi lufta me 2 Tetuer nadje 11 oren e ka ngjatë deri në sahatin mbasdite".

"Kjo luftë u ba e rrebët fort, kriste topi e pushka pá ja da e mos të vite asqeri prej Lezhjet, ndoshta urdia e Esad Pashës pat me u thye, por per fat të keq erdhi asqeri prej Lezhjet me topa e Shqyptarët nuk muejshin me qindrue ndermjet të dy ushtrive, por u kthyen tuj hypun maleve, ku rrinë e presin mos shkoin edhe aty asqeri".

"Ushtrija e Esad Pashës kur pá se Malsorët e Merditësit u larguen prej fushet, u ulne prej kodrave e dogjne tanë shpiat e Malsorve qi janë ma shum se 150, e bashkë me këto shpia dogjen edhe çelen e priftit e kishen".

" ... Ky (Esadi) po merret vesht sheshazi qi u ba vegla e Osmanllís. Neve nuk na vjen keq qi Esad Pasha u ba tradhtor i Shqypnís, por ma fort na vjen keq qi na hini pushka ndermjet shoqishojt e po vritena Shqyptarë me Shqyptarë, per të mirën e Osmanllís e per të zezen e Shqypnís".

"Mos Zot ma keq!"

Porsa kaloi ushtrija e Esad Pashës, rruga Tiranë e Shkoder u pre rishtas per nierz të shtetit. Ushtarët nuk guxojshin m’u dukë jashta Lezhjet e Shen Gjinit, e të thuesh per natë komita u avitej kazermave e bajte pushkë me ta.

Familjet e Malsorve u ulen prej bjeshket të Mirditës e rán nder troje të veta të djeguna e të shkrumueme. Ndreqen meiherë ksolla e kaçorre sá me u struk vetë e gjaja. Dukeshin të huej në vend të vet.

*****

Lufta Ballkanike

Me nandë dit të Tetorit 1912, pak ditë mbassi Esad Pasha kishte hij me redifë në Shkoder, tre topa krisen në kështjellin Rozafat tuj dhanë shejin e luftës me Mal të Zi.

Luftë me Mal të Zi u brit atëherë per gjithanë e jo ma per Din, as me Malsi. Por ishte tepër vonë!

Të Pabesit nuk i Besohet

Qeverija kerkoi me afrue Malsin per me i a vũ per ball Malit të Zi sikur gjithmonë, por pá dobi pse s’xete ma kush besë.

Nji komisjon i perbam prej disa krenve musulmana të Shkodres kje dergue prej qeverijet në Tuz me u mbushë menden krenve të Malsis t’i veshin pushken Malit të Zi e të kerkojshin prej mbretit shka të dojshin. Krenët e Malsis u dhanë besen se at ças qi mbreti i Stambollës kishte per të njoftë autonomin në kater vilajetet ata do t’i veshin pushken Malit të Zi, per ndryshej me at qeveri i kishin këputë marrdhanjet nji herë e per gjithmonë.

Por edhe ngjeti qeverija turke u mundue me i ba katolikët per vedi.

Me 11 Tetuer kajmekami i Lezhës perpiqet me Cokaj te kulla e bajraktarit të Manatis. Mundohet me ua mbushë menden të bahet çashtje e perbashkët lufta kundra Mãlit të Zi e u premton gjashtë mi lira turke me ua shperda mãlcorëve të Bregut të Matës per ket qellim. Dy vllazent Cokaj nuk mueren kurrnji perfundim me tẽ, por i thanë se nder ato dit do të perpiqeshin edhe me krenë të XII bajrakve në Nderfushas ku ishin të grishun prej Mano Begut të Lezhës e Dan Hasanit, Shkodranë, të derguem prej valis së Shkodres shi per ket punë. Në kët mbledhe qi u ba me 15 Tetuer ku muer pjesë posë Kapidan Marka Gjonit me krenët e XII bajrakve edhe Gjin Pjeter Pervizi n’emen të Kurbinit e Cokajt n’emen të Malsorve Nenshkodrakë nuk u ndreq kurgja tuj mos muejt me u besue premtimeve qi ipte qeverija. Kështu huq shkoi edhe misjoni i Emzot Biankut i cili sbashkut me D. Nikollë Kaçorrin u perpoq me krenët qi u permenden tashti sypri me 20 të njajtit muej i derguem prej konsullit t’Austrís së Durcit per me u mbushë menden të bashkohen me turk kundra Mãlit të Zi.

Urtsia (neutralistët, ballkanistët, osmanlitë)

Shkaku ma i forti i këtij ngurrimi mos me pajtue me turk nuk ishte vetem pabesimi ndaj asaj qeveri sá mendimet e ndryshme te kryeparis. Disa preleten e kryetarë mendojshin se do t’u dajshin ma mire tue ndej neutral, disa tuj perkrahë ballkanasit e tjerë turkun.

Marrveshja prej Pozicionit të Fuqisë

Kahë mbarimi i Tetorit Mali i Zi i premtoi Mirditës katermĩ mauzerre, por nuk i pranuen mo sá pranuen ato qi u foli turku. Kapidan Marka Gjoni grishjes së valfs së Shkodres me shuke e me marrë armët i gjegji n’emen të gjith krenve këso doret: "Le të sigurohen nji herë kerkesat t’ona (d.m.th. autonomija) me doren e mbretit e të bihet i pari i ynë me na prĩj , e atëherë kemi me luftue kundra shkjaut, si kemi luftue gjithmonë.

Në ket ndryshim pikpamjesh nder kryetarë, ushtrit ballkane në nji kohë faret të shkurtë pushtuen pjesen ma të madhe të Turkis europjane. Populli shqyptar të thuesh mbarë mjerojte por ma tepër muhamedanët të cilët tuj i xãnë ushtrija mãlazeze e serbjane per turq dojte me lá në ta uhat e vjetra.

Gjatë luftës ballkanike Malsorët Nenshkodrakë ndẽjen neutral, por kur filloi me u permendë çashtja me pështue Shkodren prej rrethimit të Malit Zi ata kjenë nder ma të parët qi u vullenduen me marrë pjesë.

Hasan Rizaja kryekomandanti i Shkodres me nji qindresë të pashoqe, ishte tuj e mbajtë Shkodren me ushtarë qi kishin ndollë mbrendë e me redifë qi kishte pru Esad Pasha, pá farë shpreset me pasë ndimë prej kahit. Ky tuj pasë marrë vesht zhgatrrimin e ushtris turke, proklamimin e pamvarsis shqyptare në Vlonë e njoftjen e vetqeverimit shqyptar prej perfaqsuesave të Shteteve Mëdha në London, i këshilluem prej disa atdhetarëve, sajoi me ndrrue program veprimi. Çoi fjalë në Malsi e Mirditë të ngrehshin flamurin kombëtar e t’i veshin pushken shkjaut se atẽ e kishin per vedi. Malsorët tuj drashtë ndonji dredhi i gjegjen t’a naltojte aj vetë para në kështjellin Rozafat flamurin e Shqypnís e ata ishin gadi me i ra në shpinë shkjaut.

Mbas kesaj gjegje Hasan Rizaja çon e thrret mikun e vet P. Gjergj Fishten dhe e lutë të dali prej gjytetit me ua mbushë menden Malsorve me u ra mãlazezve periherë me ushtri e me ngrehë flamurin kombëtar. Mbassi ligjiruen pakez mbi ket çashtje, P. Gjergj Fishta i mbushi menden me e vũ ai përpara flamurin kombëtar në kështjellë siç kishin lypë malsorët, e sá mã parë me grishë edhe Emzot Serreqin e Alush Lohen e me caktue diten per me lajmrue kë ishte per t’u lajmue.

Por shí nji ditë para se do t’u mblidhshin per ket çashtje personat e permenduna sypri Hasan Rizaja kje vra me të shtijme t’Esad Pashës (30 Kallnduer 1913).

Hasan Rizaja kje nji nder të rradhët zyrtarë të naltë të Turkís qi kqyrte me sy të mirë rilindjen shqyptare. Difton P. Gjergj Fishta se do kohë para luftës ballkanike tuj folë me tẽ miqsisht mbĩ levisjen shqyptare i kishte thanë se tuj mos pasë ende shqyptarët nierz të zotët me i vũ nji themel të shndoshët njaj shteti ishte mirë periherë me u kondendue me nji Shqypní autonome, kater vilajetesh, e mbassi të kenë nierz të zotët me lypë pavarsinë.

Me ket vrasë u pezullue lufta kundra mãlit të Zi, per aresye se edhe lajmet per ditë shkojshin tuj e perforcue ma fort per interesimin e Austrís e t’ Italis per çashtjen shqyptare.

Por me gjith këto shpresa të bukura jo pak shqyptarë e mbajshin ndejen neutrale të rrezikshme per kombë. Nder këta ishte sidomos Abati i Mirditës, Emzot Prengë Doçi. Ky qysh perpara se tu vriste Hasan Rizaj; kishte qitë kushtrimin në Shqypín e siperme me i shkue në ndimë Shkodres.

Mbassi ra Shkodra në dorë të malazezve, nevoja me u bashkue per me mujt e me pshtue prej anmiqve të rí erdhi tuj u shtue pererë e ma tepër, e neper inicjativë të Emzot Doçit e të Kapidan Marka Gjonit u ba nji mbledhje e madhe me 3 Maj në Kallment e n’e nesra në Lezhe. Në ket mbledhe mueren pjesë Kryeipeshkvi i Durrësit, Emzot Bianku, Emzot Koleci, Emzot Bumçi, Pál Dodaj e P. Severin Lushaj. D gjeten në ket mbledhe perfaqesuest e Shqypnís s’eper çë me Uj të Droes e deri në Guci, due me than posë Kapidan Marka Gjonit me krenët 12 bajrakeve edhe krenet e Zadrimes, te Pukes, te Dukagjinit, te Maleve te Mbishkodres, te Malsorve Nenshkodrak, e kryetaret e matit bashke me Abdurrahaman Matin, Perfaqsuesin e Ahmet Beg Zogut. Keta te gjith nenshkruen ni shkrese ne te cillen kerkohej prej Mbretnive te Medha lirimin e Shkodres e te drejtat e Shqypnís nën flamurin kombetar. U lidhen mandej besa-besë me qindrue per liri e tansi kombëtare deri në ma të mbramen. Kjo shkresë kje nisë per London me ndermjetsi të kryetarit të flotës hinglize.

Lidhja me u çue kundra sllavit muer per së shpejti të hapët në tanë Shqypnín. Dij me thanë me siguri se spakut nder katolikë kje e pergjithtë, e deri çeta komite e Zefit të V ogel etj. prej Kosovet u gatuen me i ardhë në ndimë Shkodres e mandej me shkue tuj e shty anmikun sá ma pertej u muejte. Në ket rasë Emzot Lazer Mjeda, kryeipsshkv i Shkupit, i pat dhan komites se Kosoves per ket qellim njiqind lira turkut.

Mbas 500 Vjetësh, Pjesë e Europës

Gjeto Coku

Por sá per Shkoder nuk kje nevoja at shteg per luftë pse ushtrít nderkombëtare dbuen malazezt e mueren qeverimin e Shkodres me 14 Maj 1913.

Pak ditë para mbledhes qi u permend sypri, serbjanët të ngushtuem prej njaj fuqis ma të madhe, ishin kenë largue, mjesa në breg tjeter të Drinit ende valvitej flamuri i Malit të Zi.

Qeveria e Lezhës

At ças qi serbjanët liruen Lezhen, Gjeto Coku me të vllanë Deden mblodhen burrat e Malsis e ngrehen në bashki e kështjell flamurin kombëtar, e per së shpejti grishë krenët e Kurbinit e të Zadrimës trajtuen nji qeveri provizore shqyptare të pavarun. Kështu kjo qeveri pershini Lezhen e Shen Gjinin me rrethe, Zadrimen, Kurbinin, Arbnin, katundet e bregut të Buenës e të bregut të Drinit. Kahë Shkodra pershijte katundet deri ngjat gjytetit, e n’anë tjeter mbarojte me Uj të Droes, Han të Lalgjit e breg të detit.

Harta e qeverise se LezhesGjith ky vend njihte per kryetar qeverijet Gjeto Cokun e nenkryetar Dedë Cokun, të cilët i qeverisëshin me kanun të vendit neper nji komisjon të veçantë. Kishin caktue zyrtarët ma të nevojshmit, e per sigurín e vendit kishin treqind gjendarë. Kryetar i komisjonit te Kurbinit ishte Gjin Pjeter Pervizi e Palok Miloti per Zadrime.

Vrasja në Befasí (en. assassination)

Me 7 Tetuer 1913, Gjeto Coku, kryetar i qeveris se Lezhes kje vra tradhtisht prej nji fare Prenge Gjakovet, gjãndar mirditas. Kamben e tij e xuni i vllau Ded Coku.

Kah mbarmi i nandorit Koloneli De Fillips, komandari i ushtris nderkombetare, per me shue ngatrresat e do Malsorve te Shkrelit, qi dimnojshin ne Mal te Rrencit, te cilet dojshin me shkepe Shen Gjinin prej Lezhjet e me ndertue Qeveri ne vedi; n’emen t’Europes, shkoi e xũ Shen Gjinin e Lezhen, tuj lan Ded cokun kryetar te Lezhes.

Gjatë kryengritjes së muslimanve të Shqypnís së Mesëme kundra Princ Wiedit, Malsoret Nenshkodrakë shkuen vullnetarisht me katolike te tjerë të krahit të Shkodres per me i dalë zot ketij Princi, a mã mire me thane flamurit e pavarsis kombetare.

Ne fillim te vjeshtes 1915 Ded Coku me partine e vet e pá me udhe me ua leshue pá pushke te shtijme qeverin e Lezhes esadistave tuj kene disa mãlsore te thyem prej Esadit e ishte friga me u hij pushka me shoqishojn.

Ky kje në pak fjale kontributi i malsorve Nenshkodrake per pavarsinë e tansinë shqyptare.

Ded Coku
Ded Coku
Udhheqësi i Kryengritjes së Vitit 1912
Gjeto Coku Udhheqës i Kryengritjes së Vitit 1912
Mustafa Kruja Kryengritja e Vitit 1912 (koment)
Marin Sirdani Përgjigje Mustafa Krujës rreth Komentit të tij në lidhje me Kryengritjen e Vitit 1912 dhe Ded Cokun