--

TRIVIUMI
Paskajorja & Verbalet Tjera

Tri trajtat historike

Baza e joskajoreve (foljeve te pashtjellueshme) të gjuhës shqipe ãsht pjesorja. Ajo del në dy trajta, 1) e pa-prapashtesuome, dhe 2) e prapashtesuome. Ndër shkrimtarët e parë, pjesorja delte kryesisht e prapashtesuome. Sipas dialekteve, dalloheshin tri sosh:-uom te Buzuku, -uar te Matranga, dhe -uem te Bogdani. Për shembull:

  • Buzuku: punuom
  • Matranga: punuar
  • Bogdani: punuem

Trajtat dialektore të pjesores së sotëme

Sot, pjesorja del ose e pa-prapashtesuome ose e prapashtesuome. Prapashtesat janë një prej treguesve kryesorë dialektorë të gjuhës së sotëme shqipe. Kur pjesorja sosë më -r, -rë, -ur, ajo ãsht e prapashtesuome, e rotacizuome, dhe i përket dialektit toskë. Tradicionalisht, këtu përfshihen folësit e fiseve jugore të Shqiptarisë: Lalët, Labët, dhe Çamët, si edhe Toskët e juglindjes (Korçë, Kolonjë, Pogradec, etj), vllahët e romët që jetojnë në jug të Shkumbimit, edhe Arbëneshët e Arvanitasit. Kur pjesorja sosë më togzanor, ajo i përket ose gegnishtes ose leknishtes. Kjo e fundit përfshin të folmet tradicionale të Rugovës, Vuthajve, Plavës, Gucisë, Mbishkodrës, Nënshkodrës, etj.

Në hartën pasuese, shigjetat tregojnë shtrimjene e Lekëve (banorëve me origjinë prej Malsisë së Madhe) Shtrimja e Lekeve te MM

Leknisht: punua ose punuo
Gegnishte letrare: punue;
-- Malsitë e Gegnisë lindore: ~punaue
-- Vernakulari gegë: punu
Tosknisht: punuar

Pjesorja në kohët e kryeme

Në folje analitike, pjesorja pason një trajtë të një folieje primare (gjysmë-ndihmëse; pasë, qenë). Kur folja del në zã aktiv, pjesorja pason një leksemë (trajtë zgjedhimore) të lemës (trajtës bazë) PASË. Kur folja del në zã pasiv, pjesorja pason një leksemë të lemës QENË.

Trí vërsionet e krahasuome mâ poshtë përfshijnë zgjedhje të nevojëshme me formua një sistem gjuhsor a normë letrare. Prandaj, ato janë të ndryshëme prej dialekteve të veçanta.

Zgjedhimi vepror

Leknisht: kishte kaluom lumin, kishte la, kishte lagun
Gegnisht: kishte kalue lumin, kishte la, kishte lagë
Tosknisht: kishte kaluar lumin, kishte la, kishte lagur

Zgjedhimi jovepror

Leknisht: ishte gëzuom, ishte la, ishte lagun
Gegnisht: ishte gëzue, ishte la, ishte lagë
Tosknisht: ishte gëzuar, ishte la, ishte lagur

1. Zgjedhjet si 'kaluom, bamë, gjinden te Buzuku. Ato janë përdorun këtu sepse pjesorja e paprapashtesuome (shkue) ose e shkurtuome (shku:) e tregon errtisht kohën e veprimit.
2. Në anën tjetër, paskajoret si ‘me shkuar’ ose ‘me shkuom’ nuk do t’a tregonin korrektisht as ngjejën kohore, as ngjejën aspektore, as ngjejën e zanit (pasiv/aktiv) të paskajores.
** Këto dý përdorime tregojnë një pikpamje semantike-sintaksore. Ato nuk lidhen as me dialektet as me normat as me standarded e gjuhës shqipe.

Krahasim i dy Formave te Pjesores

Këtu flitet për të folmet tradicionale të shqiptarëve, jo për standardin gegë (1964) ose toskë (1972).

1. Në versionin ‘Leknisht’ ãsht përdorun pjesorja e prapashtesuom. Kjo zgjedhje lidhet me kuptimsinë/semantikën jo me dialektin. Në leknisht, trajtat e pjesores në foljet analitike sosin më -ua ose më -uo, si në: kam shkua; kam shkuo; jo kam shkuom.

Format analitike duhet me anua kah e kaluomja, aspekti i kryem, dhe zani pasiv. Prandaj format si 'kam shkua/shkue'janë, kuptimisht, errtime. Këtu forma e drejtë gramatikore del vetëm te fiset Lale, Labe, e Çame, etj. Këto të folme dalin korrekte edhe në dobisimin e aspektores, si në, ‘një të larë, me të larë’.

2. Në lidhje me paskajoren, mohoren, përcjelloren, fiset gege, të cilat janë të shumëta me u përmendë, dobisojnë formën korrekte sepse kjo formë ka ngjejë të së tashmes, aspektit habitual, dhe zanit aktiv.

3. Forma e Leknishtes ãsht e njëjtë me atë të gegëve. Ndryshimi ãsht ua vs. ue. Por, ky ndryshim âsht thalbsor për normimin e gjuhës sepse togzanori 'ua' del në të gjith folësit jo-gegë. Ky fakt, mund t'i trysi Lekët me adoptua normën letrare të tosknishtes; por duke i shtua asaj paskajoren authentike të shqipes, si në: me shkrua, me luajt, me djegë, me pré, me ecë. Adoptimi i standardit toskë do t'i ndihmonte Lekët me i shpëtua ndikimit gegë. Këtu gjuha shihet si ruajtëse e identitetit

Një përmbledhje e dallimit në mes të pjesores së prapashtesuome dhe pjesores së paprapashtesuome japet mâ poshtë. Por, duhen qartsua dy gjana.

1. Gjuhtarët e përmendin këtë ndryshim vetë përciptazi, kryesisht kur ata flasin për pjesoren toske (punuar, bërë, larë, djegur), e cila, thonë ata, ka ngjejë të së kryemes.

2. Këto përshtatje janë shum të vështira me u pranua sepse njerëzit janë zakonsua me normat letrare gege e toske. Por, ka uzdajë se kjo pikpamje mund të hyjë në të shkruom ose në diskutime gjuhsore.

Pjesorja e Prapashtesuome

Kjo pjesore (punuar, punuem, punuom) ka:

1) Nngjejë të së kaluomes
2) Ngjejë të aspektit të kryem
3) Ngjejë pasive

Pjesorja e Pa-Prapashtesuome

Kjo pjesore (punua, punue) ka:
1) ngjejë të së tashëmes së thjeshtë
2) ngjejë të aspektit habitual
3) ngjejë, ose grishje, aktive


Prejse shkruesit e ligjruesit epranë vazhdojnë ta mohojnë nevojën e përdorimit të paskajores authentike të gjuhës shqipe, dhuntarët (talentet) e rí druhen se përdorimi i saj ãsht jo vetëm shenjë kryengritieje por edhe shenjë padhuntie. Kështu gabimi kalon prej një brezi te tjetri.

Ata që vetë nuk e përdorin paskajoren, dhe të tjerëve u thonë se 'gjuha shqipe nuk ka nevojë për paskajore', janë si ngjyr-verbëtit që thonë se 'ngjyrat nuk kanë randësí'; ata nuk mund ta kuptojnë nevojën për paskajore mã shum se ngjyr-verbëtit mund të kuptojnë nevojën për ngjyra. Çashtja këtu nuk âsht sipërfaqsore as stilistike.

Por, në anën tjetër, gegnishtja letrare nuk duket se e kupton nevojën për pjesoren e prapashtesuome. Shum pak gegë e përdorin atë. Të dalluom në këtë aspekt janë përkthimet e Nikoll Dakajt e Frano Alkajt.

Problemi këtu âsht i dy anëshëm: 1) Tosknishtja letrare duhet të bâjë vend për paskajoren me pjesore të paprapashesuome (me punua, me djegë, me pré, me luajt, etj). 2) Në format analitike, gegnishtja letrare duhet të nisi me dobisua pjesoren e prapashtesuome, p.sh., kam djegun, kam lamë, ishte djegun, ishte lamë, etj.

Këto dy aspekte janë thalbsore në përdorimin korrekt të gjuhës.

Në qoftë se shteti dhe figurat eprane të shqipes lejojnë që standardi ose norma të dobisohet errtisht, atherë çka u jep atij të drejtën me u imponua qytetarëve një standard gjuhsor a një normë letrare.

Çka ãsht pa-SKAJ-orja?

Paskajorja ãsht një trajtë foljore (verbale). Ajo i ruan veçsitë e foljes, por nuk mund të zgjedhohet me iu përshtatë kryefjalës në vetë e numër, as nuk mund të ndryshojë me tregua kohën e veprimit a të gjendjes. Kështu, tipikisht, paskajorja del sëbashku me një folje tjetër -- një folje primare (pasë, qenë) ose një folje modale -- të cilat mund të zgjedhohen (marrin mbaresa) me iu përshtatë kryefjalës në vetë e numër dhe me përkua me kohën e veprimit.

Prej kandvështrimit morfologjik, paskajorja mund të përdoret si emën, mbiemën, ose ndajfolje. Prej kandvështrimit sintaksor, paskajorja mund të funksionojë si kryefjalë, kundrinë, ose komplement.

Si formohet paskajorja

Paskajorja formohet duke shtua pjesoren e pa-prapashtesuome pas parafjalës me (me luajt, me djegë, me dalë, me marrë, me shkrua). Kjo endsí ('me' + 'pjesore e paprapashtesuome') quhet e gramatikalizuome sepse këtu parafjala ‘me’ funksionon si pjesë e paskajores, jo si parafjalë.

Format e paskajores

Paskajorja e shkrimtarëve të parë dhe paskajorja e shkrimtarëve të sotëm ndryshojnë në një pikë: shkrimtarët e parë e përdornin atë të prapashtesuome, kurse shkrimtarët e sotëm e përdorin atë të paprapashtesuome.

Paskajorja e shkrimtarëve të parë

  • Buzuku: me punuom
  • Matranga: -
  • Bogdani: me punuem

Shembujt e mãsipërm tregojnë se gegnishtja letrare vjen prej Bogdanit, toskrishtja letrare prej Matrangës, dhe se leknishtja dhe krajishtja lidhen me larminë e shqipes (ndoshta me fillimet e shqipes së normuome) që në kohën e Buzukut (në verí të Shkodrës) e Budit (në Mat) përdorte togzanorin ‘uo’.

Paskajorja e shkrimtarëve të sotëm

Sot, paskajorja e gjuhës shqipe ka afërsisht katër trajta.

Leknisht:me shkrua ose me shkruo

Afërsisht: Rugovë, Vuthaj, Martinaj, Plavë, Guci, Mbishkodër, dhe Nënshkodër

Gegnishten letrare: me shkrue.
Malsitë Gege: me shkr~aue;.
Vernakular: me shkru

Standardi '72 nuk ka paskajore. Por, kjo larmí e shqipes mund t'a nxjerri paskajoren në tre hapa:

    1. E tashëmja veprore: unë shkrua-j, ti shkrua-n

    2. E kryera e thjeshtë joveprore: Letra u shkrua

    3. Paskajorja: me shkrua

Më -ua sosin ~70% e foljeve të gjuhës shqipe. Këto janë edhe fjalët që, të përdoruna në si terma primare ose të prejardhuna, sjellin çamjen mã të thellë në mes të gegnishtes e tosknishtes. Shumica e paskajoreve të tjera mund të pranohen krejt lehtazi prej standardit ’72, p.sh., Dëshiron me ardhë. Erdhën me luajt. Shkuan me pré drú.

Në një pakicë foljesh ku standardi i sotëm kërkon rotacizëm, por refuzon hundorsimin e zanoreve, mund të përdoret lidhorja, p.sh., Kishin nisun me bâ mur > Kishin nisur të bënin mur.

Si përdoret paskajorja?

Paskajorja përdoret si verbale (një tip folieje), emën, mbiemën, dhe ndajfolje. Si verbale ajo del në endsitë katenative (katenë = vargzim, lidhje e pazgjidhëshme dhe në klauzat me paskajore, ku kryefjala nënkuptohet. Si emën ajo mund të funksionojë si kryefjalë, kundrinë, ose komplement i kryefjalës dhe kundrinës së drejtë. Paskajorja si ndajfolje ose si mbiemën shërben si modifikuese fjalësh tjera.

I. Paskajorja si emën

Me vërtua se paskajorja (infinitivi) përdoret si emën, zëvendsoje atë me një përemën.
1. Paskajorja si kryefjalë: Me kursye ãsht mirë. (diçka ãsht mirë.)
2. Si kundrinë: Ai donte me folë. (donte diçka)
3. Si komplement: Qëllimi i saj ishte me blé. (ishte diçka.) | Sytë janë me pā. (janë diçka)

II. Paskajorja si mbiemën

Paskajorja e përdorun si mbiemën, zakonisht, del pas emënit që ajo modifikon.
4. Si përshkruese e kryefjalës: Libri me blé ãsht ‘Epika Shqiptare’.
5. Si përshkruese e kundrinës: Ia ndaloi të drejtën me bã bé. E ka zakon me u kthye vonë.
Në 4., paskajorja ‘me blé’ modifikon emënin ‘libri’. Në 5. paskajorja ‘me bã’ modifikon emënin ‘të drejtën’.

III. Paskajorja si ndajfolje:

Në këto endsí, paskajorja i përgjigjet pyetjes ‘pse’. Ajo mund të jetë një klauzë e varun që modifikon klauzën kryesore, dhe mund të vendoset para ose pas klauzës që ajo modifikon.
6. Para klauzës kryesore: Me pā (pse?) zjarmet e Shninëzave, Lula shkoi në Zadrimë.
7. Pas klauzës kryesore: Lula shkoi në Zadrimë me pā (pse?) zjarmet e Shninëzave.

Paskajorja e integruome në disa endsí tipike

8. Në kohën e ardhëme: Veskleva ka me arritë në kohë.
9. Në kushtore: Shtojza deshi me ardhë por u bã vonë. | Bane me nisë, s’mund të ndalesh.
10. Në folje që shenjojnë progresin e veprimit: Martini nisi me folë; Filja vazhdoi me ecë.
11. Me folje katenative: Luka vendosi me vjelë dardha.
12. Me folje qëllimore:: Martini shkoi me pa ndeshjen.
13. Në endsí krahasuese me 'sa': Lula hangri sa me thanë. | Punonte aq sa me fitua jetesën.
14. Në endsí krahasuese me ‘se’: Autobuzi u ndal para se me arritë te Kroni i Bogës.
15. Në pyetje: Kur deshe me u nisë?
16. Në endsí mohore: S’don me ardhë.
17. Në nxitje: Ban mirë me hapë derën.
18. Kur folja dhe kryefjala këmbejnë vendet: Âsht vonë me nisë prej fillimit.
19. Me folje modale: Ti nuk mundesh me fjetë.

Klauzat me paskajore

Prejse klauza duhet me pasë kryefjalë e kallzues, dise besojnë se klauza me paskajore nuk egziston. Ata mund të jenë drejt, por ka edhe një pikpamje tjetër.

Paraqitje:

1. Paskajorja ka trajtë aktive dhe pasive.

aktive: ãsht e vështirë me pá në terr.

pasive: ãsht e vështirë me u pá në terr.

2. Paskajorja nuk ka trajtë vazhduese

Vazhdimsia me paskajore nuk mund të arrihet sepse paskajorja nuk mund të dali pas pjesëzave ‘po, duke, tue, tuo’.

a) Po lexoj. Po lexon. po me lexua

b) Jam duke lexua. ãsht duke lexua. ãsht duke me lexua

3. Paskajorja i formon kumtet negative duke u prî prej pjesëzës ‘mos’.

aktive: ãsht e vështirë mos me pá në terr.

pasive: ãsht e vështirë mos me u pá në terr.

3. Modalet, jo paskajorja zgjedhohen

Mundem me lexua. Mundet me lexua.

Dua me lexua. Don me lexua.

gjysmë-modalet nderrojnë; paskajorja jo

Kam me lexua. Ka me lexua.

Struktura e klauzave me paskajore

Shkurtimet

  • K - kryefjalë
  • F - folje
  • Kn - kundrinë; Knd - kundrinori i drejtë; Knt - Kundrinor i tërthortë
  • Kp - komplement; Kpk - komplementi i kryefjalës; Kpkn - komplementi i kundrinës (së drejtë)
  • N - ndajfoljor (rrethanor)
  • Shembuj

    Shtat endsitë pasuese përkojnë me Quirk et, al, por autorët e këtij teksti nuk e qartsojnë se, tipikisht, emëni që del si kundrinor i drejtë i foljes skajore nënkuptohet edhe si kryefjalë e klauzës me paskajore.

  • 1a. Ai e ftoi Platorin me u kthye.
  • Këtu leksema PLATOR funksionon si kundrinor i drejtë i foljes skajore. Kjo tregohet prej trajtës kallzore ‘Platorin’.

    1b. KF (SV): Platori (K) me u kthye (F).

    Këtu leksema PLATOR funksionon si kryefjalë e paskajores. Por në komunikim, kjo kryefjalë lehet jashtë sepse fjalia ngushtohet, ose kompaktohet, çka ãsht një feonmen i dëshirueshëm në bisedë, tregimsí, dhe shkrimin akademik.

  • 2. Ata na thanë me vizitua Rugovën.
  • KFKn (SVO): Ne (K) me vizitua (F) Rugovën (Knd).

  • 3. Ju e mësuat djalin me qenë i sjellëshëm.
  • KFKp (SVC): Djali (K) me qenë (F) i sjellëshëm (Kp).

  • 4. Âsht mirë për të gjith me qenë këtu
  • KFN (SVA): Të gjith (K) me qenë (F) këtu (N).

  • 5. Âsht e drejtë për tý me i thanë asaj një fjalë të mirë.
  • Rrethanat kumtore lejojnë edhe ‘ãsht e drejtë [ ]me i thanë asaj një fjalë të mirë’. Por fjalia do të tingëllonte si aforizëm.

    KFKnKn (SVOO): Ti (K) me i thanë (F) asaj(Knt) një fjalë (Knd) të mirë.

  • 6. Veskleva të tha me e bã limonatën të ãmbël.
  • KFKnKp (SVOC): Ti (K) me e bã (F) limonatën (Knd) të ãmbël (Kpkn).

  • 7. Ajkuna e bani Gjelinën me e vû kunorën mbë krye.
  • KFKnN (SVOA): Gjelina (K) me e vû (F) kunorën (Knd) mbë krye (N).

    Klauzat me joskajore ngushtojnë (kompaktojnë) kumtin

    1. Paskajoret dhe joskajoret tjera (aspektoret, mohoret, përcjelloret) mundësojnë kompaktimin e kumteve sepse ato hijezojnë informacionin që mund të nënkuptohet prej rrethanave kumtore.

  • a) I thashë me ju telefonua.
  • b) I thashë atij që ai t’ju telefononte ju.
  • 2. Ngushtimi ndodhë edhe me elementin e kryefjalës.

  • a) Me qenë besnik ãsht e vështirë.
  • b) Që përsoni të jetë besnik ãsht e vështirë.
  • 3. Në këto rrethana, forma e ngushtuome me lidhore ‘ngushton’ edhe kumtin, sepse ajo e kthen aforizmin në një këshillë përsonale; shpesh në një patronizim. Kjo ãsht e padëshirueshme sepse disa e shohin patronizimin si shkaktues ndrydhjesh psikologjike.

    Ven re shembullin tjetër:

  • a) Me qenë besnik ãsht e vështirë.
  • b) Të jesh besnik ãsht e vështirë.
  • Në a) vërehet se kumtuesi përfshin edhe vetveten në kët aforizëm; prandaj ky kumt nuk ãsht patronizues. Kurse në b) kumti ãsht patronizues (ndrydhës).

    Por, në fjalitë me përcjellore, ngushtimi i kumtit mund të përmbajë pak mjegullsí:

  • E takuam të bijën duke hipë në tren.
  • Kush po hipte në tren: e bija, apo përsonat që e takuan atë?

    Buzuku nuk e përdorë endsinë e tipit ‘për të punuom’ (K. Topalli), e cila në tosknisht del ‘për të punuar’; dhe në gegnisht mund të dali ‘për të punue' ose 'për me punue’. Kjo endsí endet si mã poshtë:
    parafjalë + emën asnjëanës + emën/përemën në gjinore , p.sh.
    për + të lutunatë + [e]/të saj
    -- Buzuku, Meshari, Botim Kritik, 35

    Kjo endsí nuk ãsht paskajore (verbale) sepse:

    • Foljet nuk marrin parafjalë; ‘për’ ãsht parafjalë
    • Emëni i këtyne endsive shquhet, p.sh., ‘të punuom > të punuom-it’; foljet nuk shquhen.

    Mohorja kumton mohim (ãsht privative), prandaj ajo nuk mund të përdori pjesëza të tjera mohuese. Si formë, ajo i afrohet mã shum përcjellores sesa paskajores, p.sh.,

    Duke ecë shpejt arrin në kohë.
    Pa ecë shpejt arrin vonë.

    Përcjellorja pason një trajtë të foljes ‘qenë’. Në disa endsí, ajo ãsht dublim i aspektit të vazhdimsisë, i cili formohet me pjesëzën ‘po’ dhe një trajtë të së tashmes ose të së pakryemes.
    1. Ajo ãsht duke/tue vozitë.
    E tashmja e vazhdueshme: Ajo po vozitë.
    2. Ajo ishte duke/tue vozitë.
    E pakryemja e vazhdueshme: Ajo po voziste.
    3. Ajo qe duke/tue vozitë.

    Krahasimi i pëcjellores me pjesoren e anglishtes

    Në fillim të fjalisë, përcjellorja mund t’i afrohet pjesores së kohës së tashme të anglishtes.
    Waiting too long, she got tired.
    Duke pritë tepër gjatë, ajo u lodh.

    Krahasimi i pëcjellores me gjerundivin dhe gjerundin

    Disa e afrojnë përcjelloren me gjerundivin e frangjishtes.(?)
    Përcjellorja e shqipes nuk duhet njësuom me gjerundin e anglishtes.

    Tipikisht, endsitë pasuese kanë mbetun të paemnuome.

    Me të hapun derën, ai hyni.

    Një të hapun derën, ai hyni.

    Skajoret vs. Joskajoret

    Joskajoret mund të quhen edhe folje të pashtjellueshme. Këtu përdoret termi 'jo-skjaore', i cili përspiqet me termin ‘skajore’, foljet që shtjellohen (zgjedhohen / eptohen) (en. finites / nonfinites). Dallimi kryesor ãsht ky: skajoret marrin mbaresa me iu përshtatë kryefalës dhe me tregua kohën e veprimit, kurse joskajoret nuk marrin mbaresa.

    Referencat

    Kolec Topalli, Gramatikë historike e gjuhës shqipe, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 2011

    Bahri Beci, Të folmet veriperëndimore të shqipërisë dhe sistemimi fonetik i së folmes së Shkodrës, Akademia e Shkencave e RSH, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 1995

    Mehmet Çeliku, Format e pashtjelluara të foljes në gjuhën e sotme shqipe, Tiranë

    Nuhi Veselaj, Paskajorja çështje e shqipes standarde ; (vështrim sinkronik)Tiranë, 2000

    Shaban Demiraj, Morfologjia historike e gjuhës shqipe. I., Tiranë 1973; II., Tiranë 1976

    Justin Rrota, Gjuha E Shkrueme Ase Verejtje Gramatikore, Botome Françeskane, Shkodër, 2014

    Donat Kurti, Gramatike Shqype, Botome Françeskane, Shkodër, 2020

    Ilia Dilo Sheperi, Gramatika dhe Sindaksa e gjuhes shqipe, Romë, 1972

    Gramatika e Institutit të Gjuhës e Letërsisë, Vëllimet I dhe II, Akademia e Shkencave, Tiranë, 2002

    Texts in English

    Martin Camaj, Albanian Grammar With Exercises, Chrestomathy and Glossaries, Collaborated on and Translated by Leonard Fox, Otto Harrassowitz, Wiesbaden, Germany, 1984

    Randolph Quirk, Sidney Greenbaum, Geoffrey Leech, Jan Svartvik, A Comprehensive Grammar of the English Language, Longman, Standard Edition, January 1, 1989