--

TRIVIUMI
Katër Memorandumet e Lekëve: 1883 - 1911

Referencat: M. Sirdani, R. Gurakuqi, Gj. Nikprelaj, E. Durham

Lufta e parë masive e Lekëve kundër pushtimit otoman pati ngjamë në vitin 1883. Kjo luftë u patën udhhequn prej Flamurtarit Dod Prêçi, Vojvodëve Ded Gjo Luli e Sokol Baci, dhe Udhheqës të tjerë Lekë si prej parisë si prej vegjlisë. Në Qershor të këtij viti, Lekët u patën dërguom përfaqsive të shteteve Europjane dý memorandume të shkruome në italisht. Në vitin 1911, Lekët u patën dërguom përfaqsive Europjane dý memorandume të tjera, të parin në Mars dhe të dytin (Greçë) në Qershor. Gjithsej katër memorandume. Dý të parat bien në sý për përdorim mjeshtror të retorikës. Dý të dytat janë mã shum lista kërkesash.

Lekët e Mbishkodrës njihen si luftëtarë që u patë përballun me qëllimet tjetërsuese të otomanëve dhe qëllimet aneksuese të sllavëve, por kjo ãsht vetëm gjysma e përpjekjeve për liri e pavarsí të lekëve. Çka nuk dihet prej atyne që nuk e kanë studjuom historinë ãsht lidhja në mes të Lekëve, elitës intelektuale të Shkodrës, dhe diplomacisë europjane. Kjo ishte e vërtetë si për luftën e vitit 1883 si për luftënat e viteve 1911 e 1912, megjithëse në këtë të fundit u gabua sepse nuk e formulua një memorandum a plan (M. Sirdani).

Sipas E. F. Knight, Nik Leka i Kelmendit ishte mik i ngushtë i konsullit Anglez të saj kohe. Sipas Edith Durhamit, kur Bedri Pasha vendosi me i vramë udhheqësit Lekë pas shpine, ose në pritë natën, ata shkuan e fjetën në banesën e Kryepeshkopit të Shkodrës. Vetë Edith Durhami bujti ndër Cokaj dhe bashkpunoi me ta me shpërndá barna që luftonin sëmundje që në Shqipní s’kishin foshkim. Sipas M. Sirdanit lidhjet e Lekëve me diplomacinë europjane dhe elitën e Shkodrës mbahej jo vetëm me anë letrash ku diskutoheshin çashtjet kombëtare, por edhe duke bujtë te njëni-tjetri.

Por aleancat kanë edhe kundërshtí. Kështu, Lekët i patën kundërshtom udhzimet e elitës shkodrane e diplomacisë europjane kur ato nxisnin kompromise të tepruome me pushtuesit. Shembujt mã të qartë të kësaj kundërshtie gjinden në kryngritjen e Mbishkodrës, ku Lekët patën kundërshtuom udhzimet e delegacioneve intelektuale, klerikale, e pashallare të shqiptarëve që i udhzonin ata me bã paqë me otomanët. Këtu Lekët patën zgjedhun ravën mã të urtë; megjithse shum mã të vështirë. Por sikur të gjith shqiptarët t'i binin kësaj rave, Shqipnia e sotëme do të ishte tjetër

E njëjta lidhje egzistonte edhe në mes Lekëve të Nënshkodrës dhe intelektualëve e diplomatëve që banonin në Shkodër. M. Sirdani tregon se Cokajt e kishin udhheqësin shpirtnor të katolikëve si tatë, dhe se ata kishin lidhje të ngushta jo vetëm me diplomatët europjanë por edhe me intelektualë të interesuom për çashtjet e gjuhës shqipe e dokeve shqiptare.

Por, historia tregon se urtsia e Lekëve kishte diçka që i mungonte si elitës intelektuale shkodrane si diplomacisë europjane si pashave shqiptarë të angluom në osmanizëm; urtsinë e njeriut që nuk trembet.

Fjala ‘i urtë’ ose ‘e urtë’ ka dý kuptime, a) i butë, dhe b) i squet. Ai që trembet mundet me qenë i urtë në mënyrën tipike të njeriut te friksuom. Të gjitha qenjet tremben, por ai që ka vullnet të mjaftueshëm me u ngritë mbi frikën, mundet me qenë i urtë në mënyrën tipike të njeriut që në shqip njihet si ‘trim’, por në kuptimin mã fisnik të fjalës, jo i tipit të trashë 'kudo rasha mos u vrasha'.

Se Lekët ishin trima tregohet me kundërshtinë që ata i patën bamë ushtrisë otomane në vitin 1883. Se ata ishin të urtë u pat treguom nëpermjet dý memorandumeve që ata i patën derguom diplomacisë Europjane. E njëjëta gjã u pat tregom në vitin 1911. Kur të gjith shqiptarët (përveç Kelmendit e Shalës) i dorzuan armët, Lekët luftuan. Kur e gjith elita shqiptare dhe diplomacia europjane u kërkoi atyne me bã paqë me otomanët, ata nuk pranuan sepse ata e dinin se ishte koha me luftua, jo me u nënshtrua. Fatkeqsisht, këtë të vërtetë nuk e patën kuptuom shqiptarë tjerë.

Lekët e dinin se koha do të vinte kur diplomacia europjane do t’a detyronte Mbretin Nikolla me u premë atyne ndihmat. Pas asaj dite, ata s'do të mund të luftonin mã. Edhe në luftën e vitit 1912, Cokajt nuk mund t’a duronin faktin se Pashat, sapo ata panë se flamuri që Lekët dhe pasuesit e tyne cakonin me ngritë ishte ai shqiptar, jo ai otoman, ata kaluan në anën e fanatikëve. Ata patën nisun luftën sepse nuk mund t’a duronin këtë anglim injorant; çka mund të quhet ‘sindroma shqiptare’ (compare: Stockholm syndrome), e cila mund të argumentohet se ka ndodhun dý herë ne historinë tonë; 1) identifikimit të shqiptarit me pushtuesin otoman, dhe 2) identifikimit të shqiptarin me pushtuesin politik bolshevik.

Në vitin 1913, u pat bamë një mbledhje në Kelmend, ku u patën marrun vendime për mbrojtjen e vendit. Në vitin 1943, në Koplik u pat mbajtun kuvendit i Lekëve anti-komunistë, të cilët patën vendosun me luftua kundër komunizmit. Ky kuvend, perfundoi në belsidhjen që pati çuom në dý luftëna, atë të Kelmendit dhe atë të Koplikut. Edhe Lufta e Kelmendit nisi pasqë kelmendasit u patën mbledhun në Kuvendin e Brojës.

Ndryshimi në mes të Lekëve dhe shumicës së shqiptarëve të tjerë ishte ky: Lekët banin kuvend para se me nisë luftën. Të tjerët donin me ditë vetëm një gjã: Çka thotë pasha, beu, agolli, a zogolli. Ndërsa Lekët e rrahnin vendimin në Log të Kuvendit, të tjerët armatoseshindhe, verbnisht, ndiqnin pashat e tyne.

Memorandumi i Parë dhe i Dytë u patën shkruom në italisht. Ato tregojnë një zotnim shum mjeshtror të retorikës e ligjratës diplomatike, të cilat janë praktikisht e njëjëta gjã. Gjuha shqipe ka nevojë për tekste të tilla sepse asaj i mungon mjaft keq ligjrata e latuome.

Malsí e Madhe - 9 Qershor 1883

1. Na jemi tuo e shkrua këtë apel, pa ndonji shpirt kryengritës, pa shpirt urrejtieje për sovranin tonë të madhnishëm....por vetëm sepse jemi provokuom me çdo lloj plagosieje, shtërngim po shtypieje të ndërmarrun prej qeverisë lokale të vilajetit të Shkodrës.

2. Vetëm kur na u siguruom se e njëjta qeveri krahinore ishte tuo komplotua në mënyrë të pashpirt dhe me mungesë njerzie me qëllim me realizua shkatërrimin tonë; kur vendosi të shkelte me kambë ligjet tona tradicionale, kur urdhnoi masakrimin e Lekëve tanë paqsorë; kur ndërmori shëndërrimin arbitrar të pronave tona, kur fyeu nderin e grave tona; kur kërcënoi jetën e bashkkombasve tanë -- qytetarëve të frikësuom të qytetit të Shkodrës-- dhe së fundmi, kur dërgoi kundër nesh njërëz të armatosun me na sulmua me armë. Vetëm atëherë na e ndjemë veten të justifikuom t’i kundërpërgjigjemi dhe të zmbrapsim me armë dhunën që na u imponua.

3. Kjo qeveri duhet të lanë mënjanë idenë me na sulmua prapë; na gjithashtu do të ndërpresim anmiqësitë; megjithatë jemi të vendosun me mbajtë edhe mã ndej pozicionet tona mbrojtëse me sigurua vetveten dhe me parandalua, për sa do të jemi në gjendje, çarmatimin e fiseve tona dhe shitjen e padrejtë të tokave tona tek i huaji.

4. Qeveria e këtij vilajeti, e ndihmuome moralisht dhe materialisht prej atij që ãsht anmiku ynë, ãsht tuo u mundua me të gjitha mënyrat dhe fuqitë e saj me realizua projektin që ajo ka ndërmarrë: shpronësimin prej pronave tona stërgjyshore dhe mandej, shfuqizimin e ligjeve tona tradicionale, e në këtë mënyrë të na bãjë ne skllevën të despotizmit të vet.

5. Na, të dobët, të pakët në numër dhe të vorfën në çdo gjã, ka mundësi që të dorëzohemi; por prej këtij momenti na protestojmë dhe bãjmë me dije se nuk do të përkulemi vetvetiu ndaj dhunës së padrejtë të ushtruaome kundër nesh; na apelojmë ndaj Fuqive të qytetnuome të Europës për ndihmë dhe përkrahje morale në këtë ngushticë të dëshpëruome në të cilën jemi vendosun

6. Na jemi të sigurtë se Europa e qytetnuome do të jetë pikërisht përkrah nesh, ashtu sikurse ajo ka qenë edhe mã parë me kombet e tjera, dhe nuk do të lejojë që një popull, pa arsye të tjera përveç atyne politike, të privohet prej substancës së tij, ligjeve të tij, zakoneve të tij, e të jetë i detynuom të zhvillohet nën një qeverisje, e cila është tuo e shtypë e përsekutua atë dhe njëkohësisht ãsht tuo mendua shfarosjen e tij. Na nuk po vendosim këtu vulat tona, mbasi ato janë të skalituna në gjuhën turke, por po vendosim shenjën tonë

Të nënshkruomit

Nikoll Mirashi, Ded Gjo Luli, Mal Gjoka, Ujk Miculi, Luc Muça, Stak Brezzi, Ismail Martini, Kol Kurti, Sokol Baci, Chiz Gila, Shaban Smaku, Dod Preçi, Keqo Prela, Tom Nikolla, Cel Vuksani, Lek Vata, Pretash Zefi, Marash Mirashi, Sokol Mirashi

Ndër ata që firmosën, bien në sy edhe patriotë si Sokol Baci e Dod Preçi, të cilëve historia nuk ua ka dhanë meritat që u takojnë edhe pse po afrohen 200 vjet që ata patën rrezikuom gjithçka që ata kishin për hir të pavarsisë e lirisë së shqiptarëve. Këta heronj, të cilët luftuan me pushkë e me pendë, morën pjesë jo vetëm në Luftën e vitit 1883, por vazhduan me luftua edhe rreth 30 vjet të tjera - deri kur Shqipnia fitoi pavarsinë e saj.

Në memorandumin e IItë, i cili mund të shkruhej vetë me kusht që situata të mbetej e njëjët ose të keqsohej, Lekët shtojnë edhe disa pika ku përfshihet çashtja kombëtare që shqetësonte Shqipninë dhe shqiptarët.

“Zotëni, na prijësit e fiseve të Maleve të Mbishkodrës, përulsisht dhe me bindje marrim guximin t’ju paraqesim shpjegimet e mëposhtme:

Malsí e Madhe - 26 Qershor 1883

1. Me datën 9 të këtij muaji të qershorit, na apeluam pranë qeverive të nãlta të kombëve të para të qytetnuome të Europës; në këtë apel na u ankuam për situatën e vështirë në të cilën gjendemi dhe kërkuam ndërhymjen e tyne të fuqishme;

2. Na mësuam me gëzim se peticioni ynë i përvuajtshëm ka qenë ... marrë prej Përfaqësuesve të Fuqive të sipërpërmenduna... 7)

3. Na pritën më ankth dhe besim të plotë pranimin e kërkesës sonë prej Fuqive të madhënishme dhe mëshirëplota; pritëm ndërpremjen e anmiqësive; pritën ndërpremjen e përsekutimit, ndaj të cilit na qemë vendosun, dhe e gjitha kjo për shkak të konsiderimit të meritave të çështjes sonë.

4. Për fat të keq, shpresa për ndihmë u vonua. Persekutimi prej anës së Qeverisë sonë .... Perandorake u rrit dhe u bã gjithnji e mã shumë i pamëshirshëm. Trupat perandorake dogjën me furi fshatnat tona; dogjën shtëpiat tona; morën me dhunë bagëtitë tona dhe shkatërruan fushat me të mbjella.

5. Prej ditës që u drejtuam Peticionin tonë Fuqive të sipërpërmenduna, na i vendosem vetes si detyrë të qendrojmë në mënyrë skrupuloze në pozicione mbrojtëse; por qeveria jonë e madhënishme e gjeti mã të arsyeshme që të na mundë ne me anë të betejës, duke na ndëshkua për besimin që treguam ndaj kombeve te të cilat apeluam; trupat turke, pasi u zmbrapsën në sajë të levizjes sonë mjaft të fuqishme, u detyruan madje edhe të kërkojnë armëpushim, që u pranua prej nesh; por ky armëpushim, u prish pikërisht prej tyne, mbasi ata i përforcuan sulmet dhe vendosën veten e tyre ne pozita mã të forta, korruptuan edhe disa prej nesh, dhe pastaj na sulmuan me një mizori dhe barbarizëm të padëgjuom.

6. Kjo sjellje mizore dhe barbare ãsht nji provë e dukëshme që qeveria jonë e madhënishme ãsht betuom për shkatërrimin tansor tonin. Qëllimet e saj janë të na shpërbãjë ne, të na nëpërkãmbë, tã na reduktojë në asgjã.

7. Na protestojmë kundër një barbarie të tillë. Na shpallim që nuk do të nënshtrohemi kurrë ndaj një force të tillë të padrejtë.

8. Na edhe një herë i bajmë apel, kësaj radhe edhe në emën të atyne fiseve, të cilat, për shkak se iu asht kërkuom, ose për shkak të largsisë që na ndan, nuk e kanë pasun mundësinë të na vijnë në ndihmë, se do të ruajmë e mbrojmë nëpërmjet forcës së armëve, të drejtat e të gjithë Shqipnisë; na bajmë apel edhe në emën të atyne, të cilët për shkak të frikës dhe terrorit kanë qenë të detyruom të dorëzohen, na apelojmë prapë ndaj Europës së të drejtave dhe të qytetënimit; por na apelojmë në mënyrë mã të veçantë dhe me konfidencën ma të madhe ndaj qeverive tuaja të madhënishme, që të na ndihmoni të dalim jashtë këtij pozicioni plotësisht të dëshpëruom në të cilin gjendemi.

9. Në qoftë se Fuqitë të cilave na u bãmë thirrje kanë mirsinë të dëgjojnë apelin tonë dhe të shqyrtojnë çashtjen tonë, na betohemi të nënshtrojmë vetveten ndaj çfarëdo vendimi të përshtatshëm që ai të jetë, mjafton që ky vendim të na japë kushtet e të ardhëmes sonë politike. Perveç kësaj, na kërkojmë, për momentin, një armëpushim prej 10 ditësh; ky armëpushim duhet të na garantohet nën sigurinë e Përfaqsuesve të Fuqive, ndaj të cilave na kemi apeluaom, dhe na guxojmë të bajmë të njohun, se ãsht dëshira jonë, që të drejtat e shënuome në apelin tonë të përulun dhe konfident duhet të merren në konsideratë. Na gjithashtu guxojmë të shtojmë mã së fundi në këtë notë, tuo e quajtë këtë oportune dhe të drejtë, se ju duhet të jeni në dijeni që Bariu ynë mã i nderuom, Zotnia jonë Ipeshkvi Guerini, nëpërmjet autografit të shkruom prej tij, të datuom më 21 të të njëjtit muaj dhe konsulli austro-hungarez, zoti Lippich, nëpërmjet letrës së tij zyrtare të datuome më 22 të të njëjtit muaj, kanë denjuom të na kërkojnë: së pari, të mos hidhemi mã në veprime të dëshpëruome rezistence; së dyti, të nështrohemi, tuo na premtua në këtë mënyrë të ndërhyjnë dhe të vendosin veten e tyne në përfaqsimin e interesave tona, pranë qeverisë otomane. Na jemi të përgatitun të aderojmë vullnetarisht ndaj këshillave të përbashkëta të Ipeshkvit tonë mã të nderuom dhe ma të ndritun, dhe përfaqësuesit të shquam të qeverisë austro-hungareze, të paraqituna, me kushtin që mã së pari ato të merren në mënyrë zyrtare, me shkrim, me sigurimet e nevojshme të imunitetit dhe kur konsulli i nderuom i lartpërmendun austro-hungarez të ketë formalisht të garantuome kushtet, në të cilat nështrimi ynë do të jetë i bazuom.

Me besimin se kerkesat tona të përuluna do të dëgjohen prej qeverive tuaja të ndrituna, na po shënojmë këtu emrat tanë:

Shenjat e disa Prijësve të Maleve të Mbishkodrës

Dodë Preçi, Flamurtar i Kastratit
Gjeto Gjeka, Vojvodë
Keqo Prela, Vojvodë
Mark Preçi, Tom Gjoni, Dula Staku, Gjergj Isufi (Gurgi), Luc Noka
Ded Gjoni Luli, Vojvodë i Traboinit
Prek Martini, Vojvodë
Prel Gjeloshi, Vojvodë
Ismail Martini, Flamurtar i Grudës
Sokol Baci, Vojvodë
Mirash Afsi, Vojvodë

Ky ãsht rendi i shenjave që jep Romeo Gurakuqi. Nuk e dí nëse ky ishte rendi i vumjes së shenjës së gishtave, por në qoftë se rendi ãsht i vërtetë, atbotë tregohet një respekt i jashtzakonëshëm per personin-para-titullit; një respekt që nuk gjindet as ndër fisnikët e perëndimit.

Sidoqoftë, këtu vërehet se ka vetëm dý Flamurtarë në vend të shtat flamurtarëve. Gjithashtu ka vetëm gjasht Vojvodë, një numër shum i vogël kur kihet parasysh se vetëm Kelmendi kishte të paktën tetë sish. Në këtë grupim krenësh ka edhe pës burra që nuk kishin titull.

Cetinë, Mali i Zi - 30 Mars 1911

Sipas Marin Sirdanit (Konrtribut), paria e kryengritësve u mblodh në një kuvend në Cetinë, ku pas debatesh të shumëta, u formulua Memorandumi Irë. Ai kishte pës pika dhe u shkrua në shqip dhe në frangjisht Me gjasë, shkrimi ishte i Luigj Gurakuqit (Nikprelaj 167, R. Gurakuqi 83).

1. Autonomia e plotë e Shqipnisë (të katër vilajeteve).

2. Përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare si edhe si gjuhë e detyrueshme në shkollat e vilajeteve të Shkodrës, të Janinës, të Manastirit, dhe të Kosovës.

3. Emënimi i Shqiptarëve për Valí në vilajetet e nãlt përmenduna.

4. Përdorimi i të ardhunave të grumbulluome fiskale për nevojat e Shqipnisë.

5. Shërbimi i afatit ushtarak të shqiptarëve gjatë kohës së paqes të kryhej vetëm në Shqipní.

M. Sirdani thotë: Ky “memorandum” kje i nenshkruem prej:

Sokol Bacit e Ded Gjo' Lulit, Dy kryetarve të kryengritasve
Muharrem Beg Bushatit, n' emen të Shkoders
Isa Beg Boletinit e Abdull Agës, n'emen të Kosovës
Kapidan Preng Marka Kokës, n'emen të Mirditës
Mehmet Shpendit, n' emen të Dukagjinit

Ky memorandum u pat shkruom menjë përziemje të gegnishtes e tosknishtes; të dyja janë të ndrysheme prej Leknishtes. Megjithatë, edhepse një përziemje e përshpejtuome, qëllimi ishte me tregua se të gjith shqiptarët pajtoheshin me kërkesat e Lekëve. Mundet që përsonat që patë formuluom tekstin e këtij memorandumi ishin Luigj Gurakuqi e Ismail Qemali. Megjithatë, duke shikua të trí memorandumet që i patën paraprimë Memorandumit të Greçës, veçsisht të tretit, kërkesat ishin tashmã të mbrujtuna në bindjet dhe kërkesat e Lekëve, çka duhet kuptuom si një lidhe në mes urtsisë së Lekëve me intelektin e elitave qytetare të Shkodrës, veçsisht elitave të klerit katolik.

Greçë, Kelmend - 23 Qershor 1911

Flamuri me shqiponjen dykrenare

1. Garantie kundra perseritjes pas sodit të veprimevet e të menyravet antikonstitucionare nga ana e Qeveries qendrore e t’Auktoriteteve vendore në të gjith Shqyperien. Nderim për të gjitha feet e për zakonet e vjetra të garantuara nga konstitucioni e të konshekruara nga kanunet e zakonet.

2. Të njohunit e plotë të kjenejes së kombit shqypetar me ato te drejta që kanë kombe të tjera të Mbretëries

[Kjo pikë përkon me kërkesën #1 në Memorandumi e III.]

3. Lirie e plotë për Shqypëtarët të zgjedhin pa ndonjë pengim a ngushtim deputetë e vet, numri i të cilëvet do ti përgjigjet popullsies.

[Kjo pikë përkon me kërkesën #3 në Memorandumi e III.]

4. Lirie të plotë për shqyptarët të mesohen e të përparojnë në gjuhë të vetë e të themelojnë shkolla shqipe të veçant e të botshme të ciclat të kenë të gjitha ato të drejta që kanë shkollat e Qeveries. Nderim për të drejtat që u janë njohunë Krerëvet feetare të kërshtenë për sa i përket mësimit ndë shkollat që janë nën sundimim e tyne.

[Kjo pikë përkon me kërkesën #2 në Memorandumi e III.]

5. Organizimi i administrimit të Vilajetevet ku ndodhen Shqyptarë, i cili të ketë për themel një systeme deqentralismi administrator, që t’u përgjegjet nevojëvet të vendit e zakonëvet të vendasvet, e që t’ afrojne rregullat e përgjithëshme t’administrimit të njohuna prej konstitucionit me praktikat e konshekruara prej kohës në disa vise.

6. Të zgjedhunit e valinjvet e të tjerëve nëpunës të lartë të shtetit ndë mest të ma të mirëve e ma të vjefshmevet të shtetit tue pëlqye ma tepër ata që dijnë gjuhen e zakonet e vendit. Emnim i tjerëve nëpunës civilë financiarë e të gjygjtarëve ndë mest t’atyne që janë shqypëtarë e që të kenë cilësiet e njohësiet e lypuna: Xhendaret e agjentët e policies ashtu edhe nëpunësit t’jerë të zgjidhen ndë mest të ma të zoteve nga njerëzit e vendit.

[Kjo pikë përkon me kërkesën #3 në Memorandumi e III.]

7. Emnim i një përfaqsonjësi të Sulltanit si inspektor i përgjithshem për një periodë vjetësh me barren që të shëkonjë të vuemit besnikisht n’udhë të nomit organik, të mbaruarit e detyrës së Valinjvet e të t’jerëve nëpunës, e të mbajtunit e qetësis e të harmonies ndë mest t’elementeëvet të ndryshme ethnike që ndodhen ndë Vilajetet bashkarisht.

8. Përdorim i gjuhës shqipe ndë marrëveshjet ndë mest të administruarvet e t’administratorvet të vendit, e ndë kuvendetë gjykimet përpara gjyqevet për krah me turqishten që asht e mbetet gjuha zyrtare e qeveries qendrore.

[Kjo pikë përkon me kërkesën #2 në Memorandumi e III.]

9. Shërbim ushteriak i detyrueshëm për të gjithë Shqypetarët me systeme skanesh (Systeme de cantinnement) në kohë paqi; e një organizimm të veçantë për vendasit e visevet që ndodhen në kufi të Shtetevet Balkanike, tue dhanë lehtësien që të mund të bajnë shërbimin në vent e të ruajnë shegurien e kufinjvet. Ushtarët do t’a kenë të liir shërbimin e besebet të tyne e të mbajtunit e zakonevet të veta.

[Kjo pikë përkon me kërkesën #5 në Memorandumi e III.]

10. Të lidhunit për nevojet e vendit të të gjitha t’ardhunavet, përveç se atyne të Gjymrykut, të Postes e të Telegrafes, të Duhanit, të Shpirtos, e të Pullavet, të cillat janë dhanë për disa shërbime të veçanta. Të lanunit për ndërtim udhash e hekurudhash me nderashtje vendore e për mbajtjen e shkollave të botëshme të një pjese të tepricës t’ardhunavet të përmenduna sypri ashtu e dhe të të gjitha pagesavet për udha, të pageses shtimore për mesim e te 3% të së drejtës së hyrjes.

[Kjo pikë përkon me kërkesën #4 në Memorandumi e III.]

T'u njihet komunevet e drejta e të prerit, drejt për së drejti ose me anën e t’jerev, të pyjevet të vendit, me detyrë për komunet me marrë për barre ruajtjen e tyne, me rregullar të prerit pas urdhnavet tehnike, e me i paguar fiskut një pagesë që do të shënjohet pes llojit të drunjëvet e pas largimit ëe pyllit nga limani ose nga vendi i shitjes.

11. Të drejta për Këshillat e Përgjithëshme të munt të japin vendime mbi budgetin e Vilajetevet e të bajnë kontroll të prishuant.

12. Kërkim i fundevet të nevojshme që të shegurohet mbledhja e të hollavet që lypsen për goditjen rishtazi të shtëpiavet e të ndërtesavet të djeguna; e themelim i një komisioni të përziem (comissin mixte) e të mosvarmë që të vëshrojnë këthim në vent të njerëzvet të damtuarë e goditnjen e shtëpiavet të djeguna.

Të kthehen armë e marruna me detyrë per ata që i bajnë që t’i shtrohen kanunit të posaçëm.

18 Delegatë që nënshruan memorandumin:

Paria e Malsisë së Madhe sipas titujve:

Flamurtarët
Ded Nika, Flamurtar i Grudës
Llesh Gjergji, Flamurtar i Nikçit (Kelmend)
Dod Prêçi, Flamurtar i Kastratit

Vojvodët
Ded Gjo Luli, Vojvodë i Traboinit të Hotit
Sokol Baci, Vojvodë i (?) të Grudës

Udhheqës të tjerë
Kelmendi:Cal Dedi, Lul Rapuka
Shkreli: Tom Nika, Martin Prêka

Paria e Dukagjinit:

Gjeto Marku, Mehmet Shpendi, Pop Çuni, Binak Lulashi, Avdi Kola, Nik Mëhilli, Bash Bajrami, Beqë Delia, Prel Marku

Kjo listë vërteton edhe një herë se Ligji i Lekëve ishte i anglohem në parimin ‘primus inter pares’. Përndryshe nuk mund të shpjegohet se përse dy Vojvodë (Ded Gjo Luli e Sokol Baci) ishin udhëheqësit e kryengritjes, jo sëpaku njëni prej të shtatë Flamurtarëve të katundeve-bërthanë që rrinin në krye të vendit në secilin Mal (Bashksí).

Edhe fakti se Flamurtari i Hotit, i cili ishte u pat muslimanizuom gjatë sundit të fanatikut Ibrahim Pashë Bushati (M. Sirdani, Kontribut), nuk mori pjesë në luftë për arsye se këtë luftë nuk e donin shumica e muslimanëve Lekë, tregon se në MM dominonte demokracia. Përndryshe, nuk mund të shpjegohet se si ishte e mundun që edhe pas mos-pjesmarrjes në këtë luftë, ky flamurtar nuk e pati humbun titullin e tij.

Sidoqoftë, tipikisht, Memorandumi i Greçës shihet si një projekt i Lekëve në bashkpunim me inteligjencën përparimtare shqiptare të përfaqsuome prej Luigj Gurakuqit, me klerin Katolik, të përfaqsuom prej Jak Sarreqit, dhe me interesat e nëpunësve otomanë që shpresonin me marrë në dorë frenat e shqiptarisë pas ikjes së turqëve prej Ballkanit, të përfaqsuome prej Ismail Qemalit, në këtë konceptim mungon kontributi i Dukagjinasëve, veçsisht Shalës e Shoshit. Firmat tregojnë se ky memorandum u pat nënshkruom prej nant Lekëve e nant Dukagjinasve. Ky fakt tregon se kontributi i Dukagjinasve në Luftën e vitit 1911 mbetet i hijezuom.

Kontributi i dukagjinasve duhet vlersua edhe për një arsye tjetër. Veçsisht ana veriori e Dukagjinit, ku përfshihen edhe Shala e Shoshi, janë dy zona shum të afërta etnikisht me Malsinë e Madhe - praktikisht të njëjëta. Në fakt, në të kaluomen, shum njerëz nuk dinin me e dallua njënin prej tjetrit.

Shenjat

Flamuri me shqiponjen dykrenare

Nikprelaj, Gjergj, Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911
Romeo Gurakuqi, Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës e Vitit 1911
Sirdani, Marin, Kontribut për Historinë e Kulturën Shqiptare
Fishta, Gjergj, Lahuta e Malcís
Durham, Edith, Struggle for Scutari (në anglisht)

Flamuri me shqiponjen dykrenare
4 Memorandumet
- -
Mem. i I 9-6-1883
Vendi M. e Madhe
# i kërkesave 6
- -
Mem. i II 26-6-1883
Vendi M. e Madhe
# i kërkesave 9
- -
Mem. i III 30-3-1911
Vendi Cetinë, MZ
# i kërkesave 5
- -
Mem. i IV 23-6-1911
Vendi Greçë, MM
# i kërkesave 12