--

TRIVIUMI
Prejardhja dhe Dialekti i Gjon Buzukut

Me kuptua gjuhën, përsonalitetin, dhe nxitjet e Gjon Buzukut me shkrua tekstin 'Meshari' duhet me kuptua rrethanat në të cilat ai u pat rritun, edukuom, dhe frymzuom. Ngjarjet kryesore që duhet t’a kenë pasë influencuom Buzukun përfshijnë:

Ramja e perandorisë serëbe pati krijuom dinamike të réja féja. Për shembull, Pjetër Bogdani shkruan se serbët i quanin shqiptarët ‘katolikë’. Sirdani shkruan se familja e Balshajve, mbasqë pati konvertua në fenë katolike, së bashku me Lekët pati pushtuom të gjith Shqiptarinë e asaj kohe, duke e mbledhë popullin shqiptar, afërsisht, brenda kufujve të Ilirisë jugore. Bahri Beci shkruan se shtrimja e Balshajve përfshnte hapsinën Tivar-Budva në veri dhe Mat në jug.

Në shekullin e XIV e gjith krahina e Shkodrës ra nën sundimin e Venedikut (Beci, Të Folmet, 12). Mandej, ajo rá nën sundimin Otoman.

Në vitin 1479 Shkodra pati ramë në duar të hordave. Ulqini e Tivari u patën pushtuom në vitin 1571. Meshari i Buzukut u pat shkruom 76 vjet pas pushtimit të Shkodrës dhe 16 para pushtimit të Ulqinit e Tivarit.

Në një vend të shkretuom kësidore, âsht jo vetëm teprí me lypë origjinën fisnore të Buzukut. Gjon Buzuku pati shkruom 52 vjet pasqë otomanët i patën deklaruom zonat fushore të shqiptarisë shkretina

Shkodra, Ulqini, Lezha e deri në Vlorë, të gjitha fushat e Shqipnisë së asaj kohe që nuk ishin nën Venedikun, çka përfshinte vetëm qytetet, duhen konceptua si vende të shkreta ose të banuome prej iktarësh të përzie.

Ndër Malsina mundet anasit dhe iktarët të kishin lidhje të lashta farefisnore. Kurse në fusha, vendimi i vitit 1503 kur Gropa e Shkodrës i përkiste hapsinës së portave të lira, i ndërlikë punët rreth gjetjes “egzakte” të fisit të Gjon Buzukut. Lëvizja e popullsisë ishte kaq e madhe, saqë Buzuku mund të ishte prej çfarëdo krahine në shqipní; ndoshta edhe një prift çam, megjithëse çamët e asaj kohe duhej t’i përkisnin ritit ortodoks.

Në fillim të Shekullit XVItë, qytetet e Gropës së Shkodrës ishin këthyem në fshatëna, ose ishin zbrazun fare. Në vitin 1503, prejse qytetet shqiptare ishin zbrazun prej popullsisë, perandoria i shpati ato “Porta të Hapuna”; domethanë, kushdo që dëshironte mund të vendosej nëkëto qyteta - çka nënkuptonte një popullsí të ardhun muslimane. (Beci). Megjithatë, në vitin 1572 ‘qyteti’ i Shkodrës kishte 400 shtëpí (Sirdani, Kontribut). Kjo ishte pothuaj 20 vjet pas 'Mesharit'.

Në 'Kontribut' Marin Sirdani shkruan,

Mbas tregimit të Princ Gjon Kastriotit të II, edhe familje tjera të para të Shqypnis merguen nder dhena të krishtena e me ta nji numer fort i madh vogjlije, sa gjytetet e katundet mbeten shqimit të shkretnueme, pse edhe ato qi nuk merguen mueren malin per mos me ra në dorë të Turkut, e çdo shej gjytetnije u zhduk.

Edhe Papa i asaj kohe shkruante rreth refugjatëve shqiptarë, çka të kujton ramjen e barbarisë komuniste 500 vjet mã vonë:

Nuk mund t'i shofin nieri pá derdhë lot lundrat e ketye refugjatve qi msyjnë limanet e Italise, familje të zhguluna prej votrave të veta, tuj ndejë buzës së bregut të detit, çojnë duert kah qiella, e mbushin dhën me vajë e ankime.

Në shekujt XV - XVII disa njësí të veriut nuk dalin të regjistruome si pjesë e administratës otomane. Ato ishin lidhje ekonomike, shoqnore, e ligjore që sundoheshin prej dokeve e ligjeve të vendit. Mundet që këto zona, kryesisht në verí dhe lindje të Shkodrës të përbaheshin prej një përziemieje të popullsisë vendase dhe banorësh shqiptarë të tërhequn në male me u shpëtua përsekutimit otoman. Në vitin 1630 këto vende përfshinin Pultin, Kelmendin, Kuçin, Grudën, Hotin, Kastratin, Piperin, Shkrelin, e të tjera.

Në “Relacione” (~1650) Frang Bardhi shkruan se në bregdet “ka shum malsorë të ardhun prej Malsisë së Madhe”. Justin Rrota shkruan se në Kadastrën Venetiane, “Shi ky vend âsht pika e pjekjes së nëndialektit të Krajës me atë të Malsisë së Madhe (Shtoji i Ulqinit, Bregu i Detit, e Velipoja edhe në at kohë, si mund t’a nxjerrim nga mbiemnat e Kadastrës, janë të banueme nga një shumicë malsorësh”.

Ndër shkollarët epranë ka shum pak që ngulmojnë rreth prejardhjes ‘fisnore’ të Buzukut; Justin Rrota âsht një sish. Por, tipikisht, ata që ngulmojnë nuk janë shkollarë. Edhe Rrota, duke u ndjé i pasigurtë në argumentin e tij, gjen prehje në retorikë, çka nuk i përshtatet një shkrimi akademik.

Frymzimi dhe përkrahja e Buzukut

Ka shum argumenta për frymzimin e Buzukut me shkrua ‘Mesharin’. Disa mendojnë se ai ishte reformist (protestan). Disa mendojnë se ai ishte patriot shqiptar. Dhe disa të tjerë, shkruajn se ai ishte një katolik i devotshëm dhe një klerik që u bindej superiorve. Por duhet pasë kujdes se spekulimet e shumëta rreth origjinës së Buzukut dhe motiveve të tij tregojnë se studjuosit janë bazua së tepërmi në hamendsime; deri edhe në emocione.

Selman Riza shkruan se gabimet e shumta gramatike, ortografike, dhe mospërputhja në përkthim, dëshmojnë se iniciativa e Gjon Buzukut nuk u pat përkrahun prej institucioneve dhe elitave të kohës. Prej mospërkrahjes, Buzkut iu pat dashun me krye punën e përkthyesit, meshtarit, dhe butuesit njihëresh. Por, prejse botimi i një libri në at kohë duhej të ishte shum i vështirë financisht, ka gjasë se një individ ase një bashksí e kâmun t’a kishte financuom përkthimin dhe botimin e “Mesharit’. Sidoqoftë, ajo që i mungonte Buzukut, ngulmon Riza, ishte përkrahja profesioniste.

Në pasthanje Gjon Buzuku nuk falënderon askand. Kjo tregon që, ose perkrahsit e tij të dëshironin me mbetë të panjohtun, ose që ai nuk kishte përkarhës. Sidoqoftë, duke u bazua në gjuhën e thjeshtë të Buzukut, mund të inferojmë se as ai as përkrahësit e tíj nuk kishin pasuní të mjaftuoshme me financua një projekt kaq kontroversial. Po ashtu, duke u nisë prej gjuhës së thjeshtë të Buzukut, mund të arrijmë në përfundim se ai, dhe me gjasë familja e tij, i përkisnin një shtrese të thjeshtë. Kështu vetfinancimi ase ndihma financiare prej anëtarve të familjes duket e pangjashme.

Përpjekjet për Literaci në Shqipni e Ballkan

Përpjekjet e para me përkthye librat e Vatikanit në gjuhët popullore të Ballkanit patën nisun në zonën Bosnje-Kroaci-Serbi, atbotë zona katolike tansisht ose pjesnisht. Fillimisht, Vatikani e pati lejuom përdorimin e këtyne librave në kishë, por mandej librat kishtare në sllavisht u patën ndaluom. Por, letërsia kishtare kishte edhe një aspekt tjetër. Në disa vende ajo ishte nisma për një letërsí kombëtare. Mahir Domi shkruan, “Letërsia Rumune, p.sh, fillon po në shekullin e Buzukut me përkthime psaltrirësh. Librat e parë të Lituanishtes janë te viteve 1545-1547, ata të Letonishtes u përkasin viteve 1550 e 1585”. … Meshari, libri i parë shqip, ‘ka filluar më 20 Mars 1554 dhe ka mbaruar me 5 Janar 1555” .

Përspjektësía e Vatikanit kundër përkthimit të veprave kishtare në vernakularet vendase u pat zmadhuom pas Koncilit të Trentit, ose siç njihet ndryshe ‘Kundër Reformës’; përgjegjes së Vatikanit ndaj nxitjeve drejt protestanizmit prej elitave të Europës Perendimore.

Willy Kamsi shkruan, “Përhapja e Reformës shkaktoi mbledhjen e një Koncili që u quajt i Trentit prej qytetit ku u mblodh. Ky koncil i zhvilloi punimet e veta në tri periudha të cilat mund të ndahen kësisoj: periudha e parë (13 dhjetor 1545 deri në shtator 1549, përiudha e dytë (nëntor 1550 deri ne pridh 1552) dhe, mbas një ndërprerjeje mjaft të gjatë, dhjetëvjeçare, periudha e tretë (janar 1562 deri më 4 dhjetor 1563) .

Kështu, mësojmë se përpjekjet e Buzukut ka gjasë të ishin përspjekë me interesat e Vatikanit. Por, në anën tjetër, duke e ditë se Vatikani duhej t’a kishte marrun seriozisht përparimin e Osmanve drejt veriut të Shqiptarisë, në vend që me i ndalua botimet e veprave të tyne në gjuhët amtare të Ballkanit, ata duhej t’i kishin nxitë ato. Megjithatë, e vërteta nuk mund të dihet; ata mund t’a kishin konsideruom kët parparim si të përkohëshëm. Prandaj, nuk mund të jemi të sigurtë nëse Papistët e patën nxitun apo ndaluom botimin e veprave të ngjashme me Mesharin, por mund të argumentohet se mbijetesa e një libri të vetëm, dhe, me çka dihet deri tash, mospërmendja e librave të ngjashëm prej literaturës së kohës tregon se puna e Buzukut ishte një punë e panjohun prej elitave; ndoshta edhe e fshehtë.

Me çka âsht gjetë deri tash, vepra e Buzukut, asht vepra e parë letrare në historinë e letrave të shkruome në gjuhën shqipe; por ajo paraprihet prej tri veprash që dëshmojnë dobisimin e gjuhës shqipe në të shkruom:

- Formula e Pagzimit, 1462

- Fjalsi i Arnold von Harffit, 1497

- Ungjilli i pashkëve sipas ritit Bizantin me gjith tropar

Lembertzi e pati klasifikuom letersinë e vjeter shqiptare në tri perioda

- Letërsia Katolike, shekujt16-17

- Letërsia e Arbreshve të Italisë, shekujt 17-18

- Letërsia kombtare, shekulli 19

Kësaj liste i duhen shtua dy vepra gojore që përmbájn një pasuni të mâdhe letrare, leksikore, e artistike.

- Epika Shqiptare

- Ligji i Shqiptarëve – Prej Lekniet deri në Labëri.

Megjithëse otomanët e patë shkretua Shqipninë verilindore, siç shkruajn Jireçek, Sufflay, dhe Ipen, para këtij shkretimi, kjo zonë ishte e integruome brenda qytetnimit europjan. Ajo kishte institucionet e veta fetare e juridike afërsisht dý shekuj para Buzukut

Qyteti, Statusi, Viti

Edhe pas shkretimit prej hordave, mundet që Buzuku u pat rritun, edukuom, dhe frymzuom porej një ambient të kulturuom evropjan. Megjithatë, duhet me pyetë, si ka mundësi që një ambient kaq i kulturuom të mos e shkruante gjuhën shqipen? Përgjegja nuk âsht shum e vështirë. Siç u kallzua mâ nâlt, shum vise të Europës lindore të asaj kohe nuk kishin një letërsí të zhvilluome. Megjithatë, kjo mund të kuptohet për hinterlandin Toskë e Gegë, por jo për qytetet bregdetare shqiptare të cilat ishin pjesë e kulturës Venedikase.

Mungesa dhe egzistenca e fakteve mund të paraqesi një historí të mangët. Për shembull, mund të pyesim, sikúr të mos ishte gjetë Meshari, çka do të kishim mendua ne rreth të shkruomit të gjuhës shqipe? Ne do të besonim se ajo nuk shkruhej në atë kohë. Prandaj, âsht e mundëshme me arritë në një përfundim të thjeshtë, mosegzistenca e shkrimeve nuk verteton mungesën e traditës së shkruome. Kësaj i shtohet edhe hipoteza se Buzuku nuk mund të ishte i vetëmi që mendonte se gjuha shqipe e asaj kohe duhej shkrua. Fakti se Matranga, Budi, dhe Bugdani patën shkruom në një kohë të përafërt me Buzukun tregon se në Shqiptarinë e asaj kohe egzistonte një elitë e edukuome që përpiqej me e hedhë gjuhën shqipe në letër; sëpaku atë fetare. Kjo përpjekje mund të ishte edhe një përpjekje për një normëzim të gjuhës shqipes. Vetëm kështu mund t’a kuptojmë se përse Budi, një Matjanë dhe Buzuku një përson që me siguri pati jetuom diku në verí të Shkodrës, patën përdorun togzanorin ‘uo’. Vetëm disa dekada mâ vonë Bogdani, një Hasjanë, do të dobisonte togzanorin ‘ue’. Ndërrimi uo > (ua/ue) nuk mund të kishte ndodhun aq shpejt -- aq shpejt dhe pa ndojë arsye të njohtun; pasojat nuk ndodhin pa shkaqe. Prandaj, ngjasia e gjuhës së Buzukut me gjuhën e Budit mund të dëshmojnë përpjekjen me normua gjuhën shqipe qysh në shekullin a XVItë.

Gjuhtarët epranë mund të mos e pranojnë një hipotezë të tillë sepse ata janë të ngulitun në evolimin uo > ua/ue. Megjithatë, duke hipotezua se gegët e kaluan Drinin pasqë Gropa e Shkodrës u pat shpallun Portë e Hapun (1503) sepse popullsia autoktone ishte shuom, mund të hipotezohet se atbotë, në verí të Drinit, dobisohej vetëm togzanori /uo/. Ndoshta Budi e përdorë këtë togzanor me tregua pajtim me një normë të mundëshme që egzistonte në verí të Drinit.

Pse ka mbetun vetëm një egzemplarë i Mesharit?

Injac Zamputi shkruan, “Egzemplarët e këtij meshari iu shtruan ndjekjes që u bëri Kunder-Reforma librave me lëndë të Shkrimit të Shenjtë të botuar në gjuhët popullore” . Por animi i Zamputit kah ideologjia e klasave dhe ateizmi, nuk mund të merret me shum seriozitet. Ai e kishte për ‘detyrë’ me ndërtua hipoteza e argumente tilla.

Disa argumente rreth prejardhjes se Buzukut

Gjuhtarët shqiptarë janë Ballkanas; qénje emocionale që kërkojnë me i qitë namin fisit të vet.

Mendimet e Shkollarëve

Idriz Ajeti

Ky Autor beson se Buzuku ishte “… prift shqiptar… me prejardhje nga viset e Kosovës…. ”. Ajeti e bazon bindjen e tíj në krahasimit e leksikut të gjetun në Mesharë me leksikun e renditun mâ poshtë : Buzuku Me ndihmua argumentin e Ajetit se Buzuku ishte Kosovar, po shtojmë edhe faktin se Buzuku, ashtu si gjakovaret e sotëm, u shton foljeve që në pjesore dalin me zanore ose togzanor, tingullin ‘n’. Buzuku

Justin Rrota

Me ngulm retorik, Rrota shkruan, “Gjon Buzuku qe një malsuer i Krajës” . Mandej autori shpenzon rreth një faqe e gjysëm me vertetua se Buzuku nuk ishte Kosovar. Në lidhje me gjurmët e Leknishtes në ‘Mesharë’, Rrota shkruan, ‘Diçka një afërsi gjuha buzukjane e ka me dialektin e Malsisë së Mbishkodrës; por pak, fort pak . Ai sjellë dy shembuj, “Kështu, edhe me Auktorin [Buzukun] tanë b.fj. kemi gati vetëm e vetëm të përdorun verbin; me thashunë kurr me thanunë” ; dhe “Një pikë tjetër përkimi ndërmjet së folmes së Malsisë së Mbishkodrës dhe Auktorit tinë kishte me qenë: dezinenca e vetës III ‘u’ t’aoristit. Malsia e Mbishkodrës – në të folmen e soçme ndëmose – përdor vetëm –u; Aj shkou, luftou, nuk i pëlqeu, etj.”

Për togzanorin ‘uo’ të buzukut Rrota shkruan, ‘… diftongu i vjetër uo, këtu vetëm këtu [Kráj/Shestan] e gjejmë edhe sot, mbas katër shekujsh, në fazëm primitive, si e shkruen Buzuku (uo)” .

At Justin Rrota, mandej krahason një fjalí në mes të Krajishtes, Shkodranishtes, dhe Leknishtes. Fjalinë e Justinit po e vemë në një tabelë ma pósht, Buzuku Me të drejtë, Justin Rrota, shkruan se fjala ‘hinje’,e përdorun prej Buzukut i përket krajishtes. Por Rrota shkruan edhe këto rreshta bombastike, ‘Ndër reflekset e së folmes të shqiptarëvet të rrethevet të Zarës, që përkojnë me Auktorin tanë të vjetër [Buzukun], e që dëshmojnë këta nipa të Krajës, mbasardhës autentikë të Buzukut, shenjojmë verbin: ‘Léj’. Këtë verb përsa dijmë, gegë e toskë, bashkë me fjalorin e fundit të institutit, e kanë dhe e shenjojnë të gjithë si verb pakaluos (intransitiv). Mirëpo Buzuku ynë e përdorë pa da edhe në kuptimin kalues (transitiv). P.sh. “U leva një djalë” .

Argumenti tjetër që Rrota sjellë në favor të kenjes së Buzukut Krajanë asht edhe metateza e foljeve levíz dhe mjedis; lëvizë>vëlizë dhe mjedis>vjedmis .

Rrota shkruan se grupimin ‘mb’ Buzuku e ka të ligshtuom si në ‘kanbe’ e ‘anbël’ (për kambë e ambël).

Në aspektin morfologjik Rrota sjellë këta shembuj:

Sikur Rrota t’a njihte dialektin e Lekëve (Narshkodër, Mbishkodër, Rugovë, etj), ai do të ishte pajtua me N. Dakajn, Shkurtajn, e Becin se në trup të fjalës Lekët përdorin togzanorin ‘uo’ jo togzanorin ‘ue’, siç thotë Rrota. Në leknisht nuk ká as /ue/ as /u:/, përveç se si huazime.

Shembuj prej dialektit të Lekëve:

1. Nikoll Dakaj (1938, 1941)
Shqipnia duhet me u bâ, burra. E pa gjak s’i shtihet temeli. Duhet burra me fituo o me dekë. Û jeshtu kam qief. Û e kam da mos me i dorzuo armët për të gjallë. Û shpinë e teshat i kam në kalë. Ju burra bani si të doni, po û kujtoj se ndera jonë âsht me bâ luftë e me dekë për lirim të trollit tânë.

(Ligratë e Ded Gjo Lulit, KGj, 164)
2. Gjovalin Shkurtaj (1975)

Këto togje [ua/uo] gjinden po ashtu në viset ku janë shpërngulur malësorë nga Malësia e Madhe, si në Breg të Matës, në Ishull të Lezhës e të Shengjinit, Balldre... Rugovës, Peshterit...

Ndërsa rrokja e mbyllur është pozicioni ku ka vetëm -uo-: [m]buoll, duol, muor, rrokja e hapur është pozicioni ku mbizotron togzanori -ua, por ku nuk mungon edhe -uo: duo, Nuo Biboçi, kanë çuo, u marruo, u lëshuo, me kaluo, muo, etj. -- Dialektologjia Shqiptare, III, E Folmja i Kelmendit, 26-37

6. Bahri Béci

duom, e rrethuome, ka luftuo, u martuo, u kujtuo, me gjuo... dua, mua, ftua, thua, e ka rrethua, me lshua, me pleqnua – E folmja i Shkrelit, Dialektologjia Shqiptare, v. I, 278, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 1971

Folja ‘thashunë’ (Rrota), në Leknisht del ‘thashë’, por kurr thashunë. Prapashesa -un në këto folje âsht dublim (Topalli). Nuk ka dëshmí se Lekët i kanë dobisuom këto dublime, prandaj, as ky argument i Rrotës, megjithëse pro-leknishtes, nuk qëndron.

Përfundimisht, prejse Rrota kishte njohuní të cekët, në fakt mangsí pothuaj të plotë, të Leknishtes, retorka e tij bombastike në favor të prejardhjes krajane të Buzukut âsht njëna prej pikave të tij mâ të cikthëta si shkollar.

Eqrem Çabej

Çabej argumenton se ‘Sidomos nuk do besuar se u shkrua në këtë mes të folët e qytetit të Shkodrës, aq më pak kur shkrimtarët që ne dimë nuk ishin Shkodranë” . Çabej i referohet faktit se Budi qe prej Matit, Bardhi prej Zadrimet, Bogdani prej Gurit të Hasis, Kazazi prej Gjakovet, dhe Zmajeviqi prej prej Perastit të Kotorrit.

Çabej shkruan es Buzuku pati huazuom fjalë të tilla si ‘cedri, centurioni, cimbali, pelikani, unguent, gamile, nova, dhe i pati përkthye ato në shqip fjalët; pastaj pati përshtatë fjalë si :‘urta/sapientia, baasi/factor ose creator, shpërblesi/redemptor, përrallsitë/fabulatores, i pabesim/incredulus, i pamort/immortalis, i pamas/immensus.

Çabej niset prej shqipes që ai njeh, por Lekët e thjeshtë i përdorin këto fjalë edhe sot, p.sh., ‘bâsi, kujtuosi … te Gomilat a Marshëjit’, etj.

Kol Ashiku

Ky autor shkruan ‘… çështja se Buzuku vjen nga Kraja e se vepra e tij mban gjurmë nga e folmje e saj, kërkon të dhëna të tjera, mbasi të studiohet shqipja e asaj krahine.”

Kolec Topalli

Argumenti i Kolec Topallit âsht mâ i dobëti. Ai e ndan mbiemënin e Buzukut në Buzë + uk < ujk < ulk. Ky argument e nxjerrë Gjon Buzukun prej Hajmelit (Zadrimet). Âsht e vërtetë se në Gropë të Shkodrës, në kohën e Topallit, fjala ‘uk’ kishte zëvendësuom fjalën ‘ujk < ulk’. Por, problemi këtu âsht se fjala ‘uk’ nuk përkon me fjalët tjera të këtij tipi që përdorëte buzuku. Vene ré: Buzuku

Referencat

Buzuku, Botimet Çabej

Buzuku dhe Gjuha e Tij

Dialektologjia Shqiptare, Vëllimet, i, II, III, IV, VII”

Atlasi Dialektologjik i Gjuhës Shqipe”.

Lidhje

- Prejardhja e gjuhes shqipe
- Norma, Standardi, Dialektet
- Paskajorja
- Joskajoret - foljet e pashtjellueshme
- Nyjtimi shqip-anglisht
- Zanoret e hundorsuome
- Pjesët e ligjratës
- Mënyrat kryesore të arsyetimit
- Falsitetet logjike
- Inferenca
- Silogjizmi
- Dialektika
- Diskursi
- Mënyrat diskursive
- Apelet retorike
- Enthemima
- Kanonet retorike
- Stili
- Katër Memorandumet
- Qeveria e Lezhës
- Mësymja e Durrësit
- Beteja e Barbullojes
- Lufta e Shenjtë